Nga: ARTUR ÇANI
“Qëndroni me ne” … mos ndërroni kanalDuket sikur nuk është e mundur, por në realitet për ne që vijmë nga bota televizive ekziston një fjalë që përmbledh më së miri punën e “qeverisë Rama” në këto 300 ditët e para, që premton, publikon, denoncon, tërhiqet, kërcënon, shkatërron, shkarkon, premton përsëri, pret të inaugurojë gjëra që nuk bëhen, krijon evente edhe atje ku nuk duhet të ekzistojnë, dënon ata që e denoncojnë, ofendon opozitën e me kurajë prej të marri i bën elozhe vetes. Kjo fjalë e vetme është:
PROGRAMACIONI
Kjo është e vetmja mënyrë për të shpjeguar të pashpjegueshmet sjellje të kryeministrit. Në këto kohë Rama është shfaqur shumë i shpërqendruar. Flet për një çështje, e le atë e vazhdon me një tjetër, i kthehet përsëri të parës, jo atje ku e ka lënë, por në një pikë tjetër, shikon papritur një rrezik, merret me të, e le përsëri e merret me një çështje tjetër fare. Ka momente vetëkënaqësie, sidomos kur ligjëron para të tijve, siç ka momente që e humbet e nuk di çfarë nxjerr nga goja, më pas kërkon të falur, por vetëm për rastet kur sharjet kanë ndodhur në publik e i kanë dëgjuar të gjithë.
Rama na shfaqet me të njëjtën regji që e kontrollon vetë, me të njëjtin enturazh, me të njëjtin podium e me të njëjtën pamje mbas tij. Njerëzit për të janë thjesht sfond. Në ‘Sheraton’, në hotel ‘Tirana’, në një ndërmarrje fasoniere, në fermë, apo edhe me komisionerin Fyle, për të është njësoj. Ai i jep rëndësi si do paraqitet, të tjerat janë thjesht dhe vetëm sfond. Për të nuk ka rëndësi se çfarë ndodh, madje nuk ka rëndësi as edhe nëse ndodh apo jo, nëse qeveria po ndihmon apo pengon, për të është i rëndësishëm PROGRAMACIONI. Në s’ka ndodhur do të ndodhë … pas pak. Mos ndërroni kanal, qëndroni me ne.
I gjithë aktiviteti i qeverisë, ç’ka po bën, madje edhe çka mendon se nuk duhet ta bëjë është kthyer në një ‘Talk Show’ të kryeministrit. Mos harroni se Rama erdhi në pushtet me spot gjigant të quajtur “KONTRATA ME SHQIPTARET” që në vetvete nuk ishte asgjë tjetër përveçse një show televiziv. Tashmë ka rënë kontrata, që nuk u firmos kurë, kanë qenë fals edhe noterët, ndonjë prej të cilëve sot është në opozitë. Sigurisht që nuk është Rama i pari në këtë show mediatik, ka paraardhës madje edhe mjaft të zotët, por shpresojmë që shqiptarët ta kuptojnë e ky të jetë i fundit. E urojmë, por pak e shpresojmë.
Duke parë takimet e pafundme të Ramës, me shqiptarët, në të gjithë Shqipërinë, mendja na shkoi si për dreq shumë vite mbrapa, tek lufta për sigurimin e bukës në vend. Të gjithë e dinim që beteja për sigurimin e bukës në vend ishte sa utopike aq dhe e kotë, por të gjithë e dinim e paçka kësaj të gjithë bënim sikur nuk e dinim. Edhe tani e dimë. Ka shumë redaksi e gazetarë që preferojnë të bëjnë sikur nuk e shikojnë, sikur nuk e kuptojnë, e për të lënë të mendosh se nuk po e shohin e kuptojnë shfaqjen që u jepet, impenjohen në maksimum të merren e krijojnë probleme tek opozita e sidomos me dramën që po ndodh në PD, a thua se vërtet u digjet barku kaq shumë. Por paçka këtyre askush nuk e mohon dot se qeverisja e këtyre 300 ditëve, i përngjan një show televiziv dhe si e tille do interpretuar. Është virtuale. Sigurisht. Por vetëm për ne votuesit e thjeshtë. Ata, qeverisësit tanë, ndërkohë fitojnë. Zotësinë e tyre në këtë fushë na e kanë bërë të njohur të gjithëve tashmë.
Por kryeministri ynë, ekspert në fushën e propagandës, e di mirë se çfarë duhet: Duhet një spektakël variete me sa më shumë të papritura, që pasojnë njëra-tjetrën, me një pritshmëri që duhet të mos mbarojë kurë. Më thoni të vërtetën a nuk ju shkon mendja, edhe tani që po lexoni këto radhë, që Rama po përgatit një surprizë të re. Një datëlindje tjetër në kryeministri ku tufa e luleve ishte aq e madhe sa veterani i PS, Dokle mezi dukej, një tjetër tortë me dy flamuj si ajo e 4 korrikut, një tjetër iftar në ‘Sheraton’ apo … sa fëmijë do të lindë bashkëshortja e tij Linda, ku, si do ti quajnë, janë djem apo vajza apo …, po të mos sjellin ‘suspans’ as këto, e rëndojmë dorën më egër me një rrënim në Vlorë, Dhërmi a Ksamil, jo në Qeparo, në Qeparo jo, … as në Durrës, edhe në Durrës jo. Ja pra ku jemi. Ja pra ku kemi mbërritur. E jo gjithçka mbaron këtu.
Së fundmi kam dëgjuar edhe një marrëzi tjetër: “Lirinë e shitjes së armëve në Shqipëri”. E fundit gjë që një shqiptar sado pak tru në kokë do të dëshironte. Po pse e kërkojnë atëherë? Shpjegimin e keni kollaj për ta gjetur tashme: PROGRAMACIONI. Duhet një gjetje e re, kështu na mëson ai. Nuk u mërzit kryeministri Rama as kur prokuroria i çoi në gjyq për korrupsion e falsifikim kryetarin socialist të Bashkisë së Vlorës, me ndihmën e të cilit Rama u bë deputet, as kur përfaqësuesit të tij, prefektit të Vlorës një ish punonjës i bashkisë së këtij qyteti pagoi për ti vënë dinamit për ta ekzekutuar, paçka se u krijua edhe një konflikt i përfaqësuesit të pushtetit qendror me atë lokal, që mund të çonte në destabilitet. Jo nuk mërzitet Rama, madje në atë kohë i shtoi prezencën në Vlorë e fotot me personazhet e lartpërmendur, kështu e ka në kopjen e tij të PROGRAMACIONIT. Argëtimi të jetë i siguruar, mjafton që ne të mos ndërrojmë kanal. Po kostot, mos u bëni merak për to, sigurisht që do ti paguajmë ne shqiptarët, Shqipëria e ndonjë “Cun Tirone”.
Me të drejtë mund të pyesë dikush: “Çfarë dreqin po bëjmë, pse po e bëjmë?” Përgjigja është në aftësitë mediatike të kryeministrit artist. Asgjë nuk duhet të jetë e vërtetë, gjithçka duhet të ndodhë për të tërhequr vëmendjen, për audiencën maksimale. “Qëndro me ne”. Mos ndrysho kanal.
Nuk mund, dhe as dua, ta mohoj që Rama ka patur sukses të plotë në show-n e programuar prej tij. Askush nuk e mohon dot që Rama arrin të ketë si protagonistë pengje në ‘Talk Shown’ e tij liderët politik të opozitës, duke i detyruar ata që të hyjnë e të dalin, të shajnë e ofendojnë, të qeshin e ironizojnë, ashtu siç ai e ka në kopjen e tij të PROGRAMIT. Nuk duhet harruar se në këtë të fundit një dorë i ka dhënë edhe Meta si drejtues i seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Ajo që prisni s’ka ngjarë, pas pak do të ngjasë … “Qëndroni me ne”… Mos ndërroni kanal …Gazeta Shqiptare
















