Në Gostivar është organizuar pritje madhështore, me një numër shumë të madh pjesëemarrësisht, futbollisti i mirënjohur shqiptar që luan për kombëtaren e Zvicrës, Admir Mehmedi, raporton Koha.net.
“Sot në mesin tonë është futbollisti ynë nga Gostivari, një futbollist që hyri në histori, Admir Mehmedi, i cili u bë futbollisti i parë shqiptar që shënon golin e parë në një kampionat botëror. Në emrin tim dhe në emër të të gjithë qytetarëve të komunës së Gostivarit, publikisht Admir Mehmedit i shprehim mirënjohje që e ngriti lart emrin e Gostivarit gjithandej botës, si dhe për suksesin historik që e arriti në Kupën e Botës me kombëtaren e Zvicrës, bashkë me futbollistët tjerë shqiptarë: Blerim Xhemailin, Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën dhe Valon Behramin”, ka thënë kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Ai I uroi sukses futbollistit tjetër nga Gostivari, të vetmit furbollist shqiptar që ka mbetur në garë për titullin e kampionit të botës në futbolll, anëtarëit të ekipit kombëtar të Gjermanisë, Shkodran Mustafit.
“Shfrytëzoj rastin që futbollistit të vetëm shqiptar që akoma vazhdon garat në kampionatin botëror, futbollistit gostivaras, Shkodran Mustafi me kombëtaren e Gjermanisë t’i urojmë suksese duke i dëshiruar që në vendlindje të kthehet me medaljen e artë, me titullin kampion bote”, ka thënë Bejta.
“E falënderoj kryetarin e komunës, z. Nevzat Bejta për ftesën që ma bëri sot. Ju falënderoj juve, e falënderoj gjithë Gostivarin për përkrahjen e dhënë në kampionatin botëror dhe në karrierën time. Për mua, kjo është një ditë speciale dhe jam i lumtur që jam prej Gostivari”, ka thënë futbollisti Admir Mehmedi.
I emocionuar sa nuk përshkruhet ka qenë edhe Imberli Mehmeti, babai I futbollistit Admir Mehmeti.
“Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që i kam kur shoh se çfarë emocionesh ka i gjithë qyteti. Jam i emocionuar për suksesin që ia dha kombit, për suksesin që ia dha vetes dhe për suksesin që ia dha Gostivarit. Për dy gjëra jam krenar: për atë që mbërriti djali im, sepse atë sukses e arriti djali i Gostivarit, dhe jam krenar se Admiri gjithkund ku prezantohet, prezantohet me emrin e Gostivarit”, ka thënë Imberli Mehmedi, në takimin me kryetarin e komunës së Gostivarit.
Kryetari i komunës, Nevzat Bejta, ia ka dorëzuar Admir Mehmedit një mirënjohje për kontributin e dhënë në afirmimin e Gostivarit. (r.m.)















