Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit në Republikën e Maqedonisë, si rrjedhojë e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe protestave qytetare, që pasuan si reagim ndaj aktgjykimeve. Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se dialogu politik ndërmjet komuniteteve dhe zbatimi në përpikëri i Marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme e zgjidhjes së çështjeve të hapura midis komuniteteve në Maqedoni. “Respektimi i të drejtave fundamentale kushtetuese dhe institucionale është mënyra e vetme për të evituar eskalimin e dhunës, që do të mund të përcillej me pasoja të rënda për tërë rajonin”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Qeveria e Kosovës.
Në këtë kontekst shtohet se Republika e Kosovës është e përkushtuar në procesin e integrimeve euro-atlantike dhe bashkëpunimit rajonal dhe thërret të gjitha palët në Republikën e Maqedonisë që të përmbahen nga dhuna si mjet i zgjidhjes së çështjeve politike. “Populli shqiptar në Maqedoni ka përfaqësuesit e vetë zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët e kanë për obligim që t’i adresojnë në mënyrë institucionale problemet dhe shqetësimet e popullatës shqiptare. Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira për maturi dhe gjetje të zgjidhjes përmes dialogut të ndërsjellë”, përfundon komunikata e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.
















