Kampioni Europian në boks Nuri Seferi deklaroi se do të marrë pjesë në protestën kombëtare kundër diskriminimit të shqiptarëve etnikë në shtetin maqedonas.
Nuri Seferi i quajtur “Majk Tajsoni” shqiptar tha se do të udhëtojë nga Zvicra për për në Tiranë ku do të zhvillohet protesta të martën e 8 korrikut.
Eurokampioni Nuri Seferi ia tregoi zotimin e tij agjencisë së lajmeve “Zhurnal” këtë të dielë.
“Duke parë situatën në Iliridë që nga dita në ditë po vështirësohet Kampioni i Evropës e ndjen si detyrim moral dhe kombëtar që të kthehet në vendlindje në mbështetje të shqiptarëve në Iliridë”-raportoi “Zhurnal”.
Nuri Seferi, sipas agjencisë do të niset për në Shqipëri të hënën, një ditë përpara protestës së paralajmëruar përpara ambasadës maqedonase në kryeqendrën e shqiptarëve Tiranë.
Pas protestës në Tiranë, kampioni europian Nuri Seferi, gjithnjë sipas “Zhurnalit”, “do të niset menjëherë për në Maqedoni për të kërkuar drejtësi për 6 shqiptarët e pafajshëm që u dënuan me burg të përjetshëm”.
E njejta agjenci saktësoi se lajmin për pjesëmarrjen në këto protesta ia konfirmoi stafi i eurokampionit Nuri Seferi, 37-vjeçar.
Të premten e 13 majit 2014 boksieri i kategorisë kruzer, Nuri Seferi mposhti hungarezin Tamas Lodi për federatën WBO Europe duke kthyer titullin e humbur dy vjet më parë.















