Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e shqiptarëve të dënuar me burg përjetë padrejtëisht.
VV shprehet se është në mbrojtje të plotë të protestuesve dhe kërkon nga partitë politike shqiptare në Maqedoni të veprojnë për rastin “Monstra”.
“Në solidaritet me protestuesit në Shkup. Procesi i fundit gjyqësor ndaj shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm, pa pasur prova, tashmë e vulosë idenë se akte të tilla të përsëritura të cilat mohojnë edhe të drejtat bazike qytetare shkojnë përtej paragjykimeve rastësore, dhe dëshmojnë për një strategji institucionale që ka për qëllim shtypjen dhe frikësimin e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone në Maqedoni. E drejta për të protestuar ndaj një sistemi të tillë jo vetëm që u takon të gjithë qytetarëve pa dallim, por kthehet edhe në një domosdoshmëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! bën thirrje për lirim të menjëhershëm të të gjithë qytetarëve të arrestuar gjatë përdorimit të së drejtës së tyre për të protestuar”, thuhet në njoftimin e VV-se.
Më tej, citohet se në Maqedoni është krijuar një sistem shtypës ndaj shqiptarëve dhe ata duhet të reagojnë ndaj këtij lloj sistemi të padrejtë.
















