Vrasja e biznesmenit Artan Santo, hetime në Lezhë e LaçTIRANE-Më shumë se një javë pas vrasjes së bankierit Artan Santo, janë marrë në pyetje 50 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen apo për ndonjë kërcënim të mundshëm që mund të ketë pasur 58- vjeçari.
Mes personave që janë marrë në pyetje, përveç bashkëpunëtorëve, miqve dhe familjarëve të tij, janë edhe personat që janë shoqëruar për shkak se kanë pasur një motor të ngjashëm me atë të atentatorëve, shkruan gazeta “Panorama”.
Në Prokurorinë e Tiranës, dje në orën 14:30 është zhvilluar një takim mes anëtarëve të grupit hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes së Artan Santos. Në takimin që ishte më tepër një analizë provash e dëshmish dhe që drejtohet nga shefi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha, morën pjesë edhe oficerë të Policisë së kryeqytetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Burime nga Policia thanë se analiza e djeshme është përqendruar te mbledhja e dëshmive dhe provave materiale, ku deri tani rezultojnë të jenë pyetur rreth 50 persona.















