Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, e quan 2 korrikun fillimin e rrugës për integrimin europian të Shqipërisë
Pandeli Majko është i vetmi që deri tani ka lëshuar një mesazh rikujtimi për shqiptarët që thyen të quajturin “Muri i Berlinit në Tiranë” kur kërkuan strehim në ambasadat e vendeve të ndryshme.
Në profilin e tij në rrjetin shoqëror “fejsbuk” dy herë ish-kryeministri Majko postoi një mesazh për 2 Korrikun 1990.
“Atë ditë me mijëra qytetarë të Tiranës, por edhe nga rrethet, hynë masivisht në Ambasadat Perëndimore të akredituara në Shqipëri”-shkruan ai.
Të shoqëruar me një fotografi të njerëzve që kishin hyrë në ambasadën e ish-Republikës Federale Gjermane, deputeti Majko vijon:
“2 Korrik 1990… Sot përvjetori i ditës simbol, kur shqiptarët thyen “Murin e tyre të Berlinit”.
Deputeti i Partisë Socialiste, Majko, e quan 2 korrikun si fillimin e rrugës për integrimin europian të Shqipërisë.
“Mbas shumë përpjekjesh dhe negociatash, të gjithë qytetarët që hynë në ambasada u paisën me pashaporta dhe u larguan nga Shqipëria. Kështu filloi rruga e vështirë e “integrimit” europian”-shkruan zoti Majko.
















