Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit jep detaje të reja për vrasjen e bankierit Artan Santo në zemër të ish-Bllokut javën e shkuar.
Duke iu referuar ndalimit të dy shtetasve, kushërinjve Klodian Gjozi dhe Sajmir (Gazmir) Gjozi, të cilët u shoqëruan si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Artan Santo, rezulton se këta persona kanë qenë të dënuar në Greqi për krime të rënda dhe konsiderohen të rrezikshëm për vjedhje me armë.
Rezultatet e ekspertimit kriminalistik, kanë nxjerrë se mbi këta shtetas, rezultojnë faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri dhe konkretisht mbetje baruti në duar e trup. Sipas policisë, po ashtu edhe motori i sekuestruar është i ngjashëm me atë që u përdor nga vrasësit ditën e ngjarjes.
Policia bën të ditur, se motori tip “Suzuki 650 CC” i bllokuar në një servis pranë fshatit Bubq, rezulton të jetë vjedhur në Greqi më 16 qershor një shtetasi nga Selaniku dhe ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri, pasi nuk është i regjistruar në dokumentet zyrtare të Ministrisë së Transporteve për mjetet motorike.
Po ashtu, nga informacioni i marrë nga autoritetet ligjzbatuese Greke rezulton se shtetasi Klodian Ahmet Gjozi, ka vuajtur dënimin në burgjet greke për veprën penale të vrasjes, që nga data 21.06.2004 deri më 13.04.2011.
Gjithashtu ky shtetas është ndaluar përsëri nga ana e policisë greke më 30.06.2011 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, së bashku me vëllanë e tij Arjan Gjozi (shitje kokaine në zonat e Pagratit dhe Vironas në Athinë) dhe të dy janë liruar nga burgu më datë 25.05.2012.
Policia e Shtetit vazhdon hetimin për zbardhjen e autorëve të vrasjes së Artan Santos dhe fton qytetarët të ndihmojnë me çdo detaj apo informacion të mundshëm për kapjen sa më shpejt të tyre.














