Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozi është shoqëruar në polici për shkelje të fshehtësisë së hetimit.
Shoqërimi i Sarkozisë nga policia dhe futja në paraburgim për t’u marrë në pyetje, ndodhi sot në selinë e Zyrës Qendrore për Luftën kundër Korrupsionit në Nanterre, afër Parisit. Hetuesit kanë përgjuar bisedat telefonike të disa të afërmve të ish-kryetarit të shtetit, dhe të vetë Sarkozisë që prej shtatorit të vitit 2013.
Inspektorët e antikorrupsionit mund të mbajnë deri në 24 orë Sarkozinë në hetuesi, me mundësinë për ta shtyrë edhe një ditë tjetër. Në paraburgim, si pjesë e të njëjtit hetim, është marrë edhe avokati i tij Thierry Herzog, gjyqtari Gilbert Azibert dhe Këshilltari i Përgjithshëm në Divizionin Penal të Gjykatës së Kasacionit, Patrick Sassoust.
Sarkozi është nën hetim që prej 26 shkurtit për akuzat “ndikim nga jashtë” dhe “shkelje të fshehtësisë së hetimit”.
Sipas BBC-së, vendimi për t’u marrë nga policia, është një hap i paprecedentë kundër një ish-Presidenti.
Zhvillimi i fundit shihet si një goditje ndaj përpjekjeve të Sarkozisë për të hyrë në garën për presidencën në vitin 2017.














