Nga Prof. Dr. Priamo Bollano/ Prof. Asoc. Dr. Jorgji Hanxhari
Në kuadrin e reformës së re territoriale, diskutime dhe shkrime të shumta, me mendime të kundërta, janë dhënë edhe për Himarën. Ndër
të tjera, na bëjnë përshtypje qëndrimi dhe argumentet jo bindëse, të shtruara në takimin e zhvilluar nga ministri Çuçi, apo dhe nga deputeti i rrethit të Vlorës, Koço Kokëdhima. Duke mbështetur me çdo kusht opsionin për bashkimin e Himarës me Komunën e Vranishtit dhe atë të Lukovës, theksojnë se, me këtë variant Himara do të ketë në dispozicion edhe potencialet e mëdha ekonomike që ka komuna e Vranishtit, se argumente bindëse për të kundërtën mungojnë, etj., etj. E theksojmë që në fillim se deklarime të tilla na kujtojnë kohëra të shkuara, periudhën e monizmit, si dhe ringjalljen e parullës “ç‘thotë Partia bën populli, ç’don populli bën Partia”! Që, përherë bëhej siç thoshte Partia!
Është fakt se himarjotët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe shoqata Bregdeti, në forma të ndryshme, përmes Letrave të Hapura dërguar Kryeministrit, zotit Edi Rama, por edhe përmes shkrimeve të ndryshme, kanë shprehur pozicionimin e tyre, me argumente historike, ekonomike, sociale dhe topogjeografike, përse një bashkim i tillë nuk duhet bërë.
Së pari, historikisht Himara ka patur një status të veçantë, jo vetëm në Mesjetë por edhe në vitet e para të funksionimit të shtetit shqiptar. Qeveria Shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjës, me marrëveshjen e Qershorit 1921, nënshkruar nga përfaqësuesi i saj, deputeti i Vlorës, Spiro Gogo Koleka (i pari), me përfaqësuesit himarjotë, i njohu asaj disa të drejta, përveç të tjerave, edhe pasjen e dy deputetëve, pavarësisht nga numri i popullsisë së saj. (Shih AQSH, Fondi Nënprefektura e Himarës, viti 1921, dosja 203, shih, edhe Arkivi i Ministrisë Jashtme të Greqisë, viti 1927, Arkivi i Himarës, Nr. 10 592,edhe Kastriot Dervishi, Marrëveshja e Spiro Kolekës për 7 fshatrat dhe Himarën, Gazeta 55, 13 gusht 2006).
Së dyti, në Himarë dhe në mbarë Bregdetin Jonian, mbetet ende i pazgjidhur problemi i pronave. Me një Bashki të re, që do menaxhojë disa mijëra banorë, përfshi edhe disa fshatra të Lumit të Vlorës, kjo zgjidhje na duket shumë e largët, për të mos thënë që do të anashkalohet. Ndërkohë, një bashkim i tillë, nuk i shërben unitetit dhe bashkekzistencës popullore, krijimit të një zone ekonomike funksionale, ku në përbërjen e saj hyjnë komunitete apo subjekte, që kanë pretendime pronësore dhe, për rrjedhojë, janë në konflikt interesi lidhur me ‘të.
Historikisht, pas ndërrimit të fesë, nga fshatrat brenda hinterlandit dhe për të përfituar ofiqe nga perandoria otomane, këto dy krahina, për shkak të kundërshtive, që lidhen me pronat, kanë qenë në konflikt të vazhdueshëm. E vetmja lidhje, pothuajse e qëndrueshme, midis tyre, ka qenë ajo për verimin dhe dimërimin reciprok të bagëtive. Sa për lidhje të tjera, deri nga fundi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar, nuk mund të bëhet fjalë. Aq e vërtetë është kjo, sa që, në fillim të viteve ‘60 të shekullit të kaluar, kur himarjotët kërkuan të merrnin një pjesë të ujit nga Buronjat e Kuçit, për pirje nga popullsia dhe për vaditje, ata preferuan që uji të rridhte në Shushicë dhe prej andej, përmes Vjosës, të derdhej në Adriatik. (Shih librat: Janko Pali, “Historia e fshatit Qeparo’’, Rami Memushaj, “Histori e Kurveleshit’’, shih edhe Seit Alikaj, “Kuçi i Labërisë në shekuj” ).
Së treti, Himara, edhe ashtu siç është sot, posedon potenciale të mëdha ekonomike dhe humane, veçanërisht intelektuale, për zhvillimin e turizmit detar, malor e kulturor, si dhe të agrokulturës, me bazë olivikulturën dhe agrumet. Në mungesë të shifrave bashkëkohore i referohemi të kaluarës. Në vitet e monizmit, të tre kooperativat e bashkuara të Himarës, siguronin një të tretën e prodhimit bujqësor të rrethit të Vlorës. Pavarësisht politikës së çmimeve të ulëta të blerjes, sidomos të ullirit dhe të agrumeve, në krahasim me ato të zonave të tjera, si dhe të politikës fiskale, që ndiqte regjimi monist, që i përfshinte këto ekonomi në zonë fushore, ato ndanin për ditë pune, (ose si pagë mesatare ditore) 15-18 lekë, ndërsa kooperativat e Lumit të Vlorës nuk ndanin më shumë se 8 -10 lekë për ditë pune. Ndërkohë, këto kooperativa, zbatonin një normë të lartë akumulimi, nga të ardhurat vjetore të çdo viti, kalonin miliona lekë në formën CAS, pa u investuar, si dhe nuk merrnin kredi bankare. Në fund të viteve ‘80 të shekullit të kaluar, fondet e mësipërme të lira monetare, llogariteshin mbi 100 milionë lekë, fati i të cilave edhe sot nuk dihet. Ndërsa kooperativat e Lumit të Vlorës zbatonin një normë minimale akumulimi dhe zhvillimin e veprimtarisë së tyre nuk mund ta kryenin pa marrë kredi nga banka bujqësore e kohës.
Së katërti, është fakt i padiskutueshëm se, shumë turistë vendas por edhe të huaj, zgjedhin Himarën për pushime, sidomos gjatë stinës së verës. Prandaj, duhet një Bashki më vete dhe pushteti qendror t’i japë prioritetin e duhur, me fonde, sepse, deri më tani, ato kanë qenë qesharake. Edhe ndonjë punë me peshë, që është bërë aty, është rrjedhojë e investimit të portofolit nga vetë himarjotët dhe të ndonjë kredie pa rëndësi të veçantë, të dhënë nga bankat e huaja ose fondacionet e tjera financiare. Siç shkruan, me të drejtë, studiuesi i mirënjohur shqiptar, Moikom Zeqo: “ka ardhë koha që politika shqiptare t’i kthejë sytë nga Himara, kjo Princeshë në gjumë, pa dyshim, që do të zgjohet” dhe se “nëse politika shqiptare do të kthejë sytë nga Himara, atëherë çështja e shpopullimit të kësaj kryevepre natyrore, të ikjes së banorëve të saj në emigracion nëpër botë, do të ishte kushti i parë ekzistencial i një ringjalljeje.”
Së pesti, përfshirja e Komunës së Vranishtit në Bashkinë e Himarës nuk i përgjigjet vetëdijes historike, kulturore dhe shpirtërore të popullsisë së dy zonave, por i ngjan më shumë një amalgame, të ngjashme me bashkimet mekanike, në kohën e komunizmit, të kooperativave fushore me ato malore, që, në shumë raste, nuk kishin as një vazhdimësi tradicionale. Bashkimi i Himarës me Vranishtin, në vend që të sigurojë një rikonceptim të qeverisjes vendore, i ngjan më tepër një rikonfigurimi të kufijve aktualë administrativë. Siç ka vënë në dukje, në mendimet e shfaqura për reformën territoriale-administrative, kolegu ynë Prof. Dr. Arqile Bërxholli, një gjë e tillë përbën një bashkim “administrativ për interesa elektorale, nxitur nga egoizmi për pushtet” dhe jo një liberalizim të pushtetit vendor dhe rritje të kompetencave të tij. Ne pajtohemi me atë që shpreh Prof. Dr. Rami Memushaj se “Sot fshatrat e Kurveleshit janë shpërndarë në pesë komuna…Ky copëzim ka goditur rëndë lidhjet tradicionale midis fshatrave të Kurveleshit, ndërkohë që do të kishte qenë në interesin jo vetëm të kurveleshasve, që krahina të tilla me lidhje të ngushta historike, kulturore e ekonomike, të formonin një njësi administrative më vete, ashtu siç kanë qenë në shekuj” (nënvizimi ynë).
Së gjashti, në aspektin topogjeografik, këto dy zona, kanë një ndarje të fortë natyrore, vargmalet Akrokeraune. Komunikimi midis tyre, edhe sot, sikurse në të kaluarën, bëhet duke ecur nëpër shtigje e monopate nga kalojnë dhitë, duke çarë dëborën e dimrit dhe duke përballuar vapën e verës. Për të ardhur me mjete bashkëkohore në Himarë, banorët e tyre duhet të shkojnë ose në Vlorë, ose në Borsh dhe prej andej në Himarë, duke përshkuar 70 deri 100 km. Vështirësitë e komunikimit sigurisht që do të mbartin ndikimet e tyre edhe në cilësinë e kryerjes së shërbimeve nga pushteti vendor dhe, në vend që ai të jetë sa më afër banorëve, si një ndër synimet themelore të reformës, me këtë bashkim, do të largohet.
Së fundi, në rast se gjykohet se Himara nuk mund të qëndrojë zonë administrativo-ekonomike më vete, ashtu siç jemi shprehur edhe në një Letër të Hapur dërguar Kryeministrit në nëntor të vitit 2013, në një letër tjetër, të dërguar Kryeministrit, në datën 08.06.2014 (me postë dhe me e-mail), si dhe në disa shkrime të mëparshme, gjykojmë se ajo mund të bashkohet vetëm me Komunën e Lukovës të Bregdetit të Poshtëm, në mbështetje të variantit 5 të reformës territoriale. Me këtë bashkim, formohet një zonë ekonomike funksionale, që mban parasysh lidhjet e vjetra, veçantitë dhe vetëdijen historike, kulturore, të besimit, si dhe shtrirjen në vazhdimësi topogjeografike të saj, në mbarë Bregdetin Jonian.
Gjithçka sa parashtruam na krijon bindjen se një bashkim i tillë, siç është konceptuar, është mekanik, me tendenca të theksuara politike dhe, se ai bie ndesh me qëllimet e reformës gjithëpërfshirëse administrativo-territoriale, që është e domosdoshme të bëhet në Shqipëri.















