Pas miratimit të dhënies së statusit kandidat, Këshilli i BE-së ka publikuar konkluzionet për Shqipërinë. Këshilli kërkon që Tirana të veprojë me vendosmëri për rekomandimet e Komisionit Evropian.
Gjithashtu nga Shqipëria kërkohet që të reduktohet numri i emigrantëve në vendet anëtare të BE-së. Dhe në fund, kërkohet që qeveria dhe opozita të kenë dialog të qëndrueshëm për reformat e lidhura me integrimin.
Konkluzionet e Këshillit Evropian mbi Shqipërinë
Këshilli miratoi përfundimet e mëposhtme:
1. Në përputhje me përfundimet e datës 17 dhjetor 2013, Këshilli mirëpret raportin e 4 qershorit të Komisionit, dhe në dritën e shqyrtimit të progresit të vazhdueshëm të Shqipërisë, vendos t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, subjekt i miratimit nga Këshilli Evropian.
2. Pas dhënies së statusit të vendit kandidat, Këshilli nënvizon se Shqipëria, duhet të veprojë me vendosmëri për të gjitha rekomandimet në raportin e Komisionit, dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të siguruar një zbatim të qëndrueshëm, të plotë dhe gjithëpërfshirës të prioriteteve kyçe, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe politikave të diskriminimit në fushën e pakicave dhe trajtimin e tyre të barabartë, dhe zbatimin e të drejtave mbi pronën.
Këshilli nënvizon rëndësinë që Shqipëria të intensifikojë përpjekjet e saj kundër korrupsionit dhe të zbatojë strategjinë e saj kundër korrupsionit dhe planin e veprimit, të forcojë bashkëpunimin në lidhje me agjencitë zbatuese të ligjit, për të vendosur një rekord solid të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht në emigracionin e organizuar, përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, pastrimin e parave, kultivimin e drogës dhe trafikimin njerëzor.
Këshilli gjithashtu nënvizon rëndësinë që Shqipëria të forcojë pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë e gjyqësorit, përfshirë këtu edhe ofrimin e sigurisë juridike për investuesit ekonomikë për të rritur besimin e tyre.
3. Këshilli gjithashtu pret që Shqipëria të intensifikojë mbështetjen e saj për reduktimin në kohë të presioneve migruese mbi BE-në , duke ndjekur përpjekjet e saj për të siguruar përmbushjen e të gjitha kushteve e udhërrëfyeseve të vizave, dhe duke ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të adresuar çështjen e kërkesave të pabaza për azilkërkuesit shqiptarë.
4. Këshilli mirëpret listën e prioriteteve kryesore që Shqipëria ka miratuar, në mënyrë që të strukturojë procesin e reformave për të ndërtuar një kronologji të zbatimit të tyre. Bazuar në këtë listë, Këshilli fton Komisionin të intensifikojë mbështetjen e tij, monitorimin dhe vlerësimin e procesit të reformave në Shqipëri, duke përfshirë edhe kontekstin e dialogut të nivelit të lartë mbi prioritetet kyçe dhe nëpërmjet bashkëveprimit të ngushtë me shtetet anëtare.
Në këtë drejtim, Këshilli fton Komisionin për të raportuar, në kuadër të “Paketës së Zgjerimit” dhe dialogut të nivelit të lartë, në një mënyrë të plotë dhe të detajuar mbi progresin e Shqipërisë në prioritetet kryesore.
5. Këshilli mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, si dhe përafrimin e Politikave të Sigurisë me BE-në.
6. Këshilli përsërit se dialogu i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm midis qeverisë dhe opozitës për reformat lidhur me BE-në, do të mbetet një faktor i rëndësishëm për Shqipërinë për ta çuar përpara në rrugën e saj të integrimit në BE.














