Ministria e Brendshme në Mbretërinë e Bashkuar, ka pranuar se nuk ka patur prova për justifikimin që ka përdorur, lidhur me fushatën e ndalimit të gomoneve.
“The Guardian”, zbulon se bëhet fjalë për argumentin e zyrtarëve të MB, se shumica e personave që kalojnë La Manshin me gomone, janë emigrantë ekonomikë, pra persona që duan të punojnë në MB dhe jo refugjatë të vërtetë.
Ish ministrja e Brendshme, Priti Patel, i tha parlamentit në vitin 2021, se “70% e individëve që vijnë me gomone, janë burra beqarë, që janë emigrantë ekonomikë”. Në dhjetor të vitit të kaluar, pasardhësja e saj, Suella Braverman, e mbështeti pretendimin, duke i thënë deputetëve: “Ka dëshmi të konsiderueshme se njerëzit po vijnë këtu si emigrantë ekonomikë, në mënyrë të paligjshme”.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se pretendimet e tilla, ndihmojnë në krijimin e një narrative të gabuar, se personat që vijnë me gomone nuk janë azilkërkues të vërtetë, kështu që kanë më pak të drejtë për simpati.
Megjithatë, kur u pyet me anë të një kërkesë për informacion, për provat që të mbështesin pretendimin e Patel, Ministria e Brendshme, pranoi se nuk kishte asnjë provë. Përgjigja e saj – e datuar më 20 mars 2023, një vit pas dërgimit të kërkesës – thotë: “Ne kemi kryer një kërkim të hollësishëm dhe kemi bërë të ditur se Ministria e Brendshme, nuk ka informacionin e kërkuar”.
Të dhënat e vetë Ministrisë së Brendshme, konfirmojnë se shumica e njerëzve që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me gomone në vitin 2022 – të paktën gjashtë në dhjetë – njihen si refugjatë.
Dështimi i qeverisë për të justifikuar argumentin e saj për “emigrantë ekonomikë” vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri Rishi Sunak dhe ministri i emigracionit Robert Jenrick u kritikuan nga mbikëqyrësi britanik i statistikave për përdorimin e shifrave jo të sakta në lidhje me azilkërkuesit.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se Ministria e Brendshme, ka tentuar të manipulojë debatin duke quajtur ardhjet e qytetarëve nga Shqipëria, si emigrantë ekonomikë ose kriminelë, në vend që të njihen si refugjatë. Braverman shkaktoi skandale në nëntor të vitit të kaluar duke thënë: “Nëse Laburistët do të ishin në krye, do të lejonin të gjithë kriminelët shqiptarë të vijnë në këtë vend.”
Kjo solli reagime të ashpra edhe nga Shqipëria, konkretisht nga kryeministri Rama që e quajti deklaratën e ministres “një turp” dhe MB-në e krahasoi me “një çmendinë”, gjatë këtij debati.
Nga 45,756 persona që kaluan me gomone drejt MB, në vitin e kaluar, 28% ishin shqiptarë. Organizatat bamirëse argumentojnë se kërkesat për azil nga Shqipëria bëhen kryesisht për shkak të varfërisë dhe korrupsionit




















