Daut Dauti
Në futboll simpatizuesit në stadium janë lojtari i dymbëdhjetë i ekipit. Simpatizuesit u japin zemër futbollistëve. Ndeshjet e futbollit duhet të fitohen edhe për shkak të shikueseve. Mbrëmë Argjentina e meritonte fitoren vetëm për shkak të simpatizuesve që i kishte në stadium. Nuk u ndalën në asnjë moment duke brohoritur e kënduar. Në shkallët e stadiumit, ustralianët ishin të pavërejtshëm.
Njësoj ishte edhe në ndeshjen Zvicra vs Serbia. Shikuesit serbë dominonin në stadium. Ata zviceranë, ishin të parëndësishëm pasi që nuk iu dëgjohej zëri. Si është e mundur që Serbia në stadium të ketë më shumë simpatizues se Zvicra? Këto dy shtete kanë banorë me numër përafërsisht të njejtë, por fuqia ekonomike e zviceranit është disa dhjetëra, nëse jo qindra herë, më e madhe se e serbit. Një zviceran mund të shkoj në Katar me qerekun e një rroge kurse një serb duhet të kursej me vite për këtë punë. Zviceranët do të duhej të dominonin në stadium, por kjo nuk është duke ndodhur.
Natyrisht që këtu nuk është në pyetje numri i banorëve dhe fuqia e tyre ekonomike. Në pyetje është dashuria dhe tradita për futbollin që i mungon Zvicrës. Është edhe një problem tjetër te rasti i Zvicrës. Fjala është për numrin e madh të futbollistëve që në Zvicër konsiderohen të huaj. Disa herë kam dëgjuar se ka zviceranë që mu për këtë arsye nuk e mbështesin kombëtaren e tyre.
Rasti i Zvicrës është interesant pasi që ky ekip është shndërruar në mjet të kauzës shqiptare apo Kosovës. Ky ekip është popullarizuar dhe është duke pasur sukses mu për shkak të shqiptarëve të Kosovës dhe kjo në vete e bartë çështjen politike të Kosovës me Serbinë duke e lënë Zvicrën nën hije. Pyetja është: si do të ndjeheni ju në këtë rast nëse jeni zviceranë? Si do ta ndjeni veten nëse fitorja e Zvicrës kundër Serbisë festohet nga shqiptarët me flamujë të Shqipërisë dhe Kosovës në qytetet e Zvicrës? A është futboll kjo punë dhe sa ka të bëjë me Zvicrën?
Ose një pyetje tjetër që ta kemi më afër zemrës. Si do të ndjeheshin shqiptarët nëse tre lojtarët më të mirë të kombëtares së Kosovës do të ishin të lindur në Senegal, por të rritur në Kosovë dhe shtetas të këtij vendi? Pastaj, senegalezët tjerë që jetojnë në Kosovë do të dilnin në qytetet tona ta festonin fitoren me flamurin e Senegalit. Mendja normale dhe e njeriut modern nuk do ta shihte këtë punë aspak si problem. Por, ja që nuk janë të gjithë njerëzit ‘modernë’ dhe ‘normalë’.
Në këtë aspekt problem nuk kanë anglezët. Ata, duke qenë perandori, e kanë gëlltitur me kohë problemin e prejardhjes, religjionit, ngjyrës, etj. Të gjithë mund të luajnë për Anglinë dhe ky vend vetëm sa mburret me këtë punë. Madje, tifozët anglezë janë gjithmonë më të mirët në stadiume ku krijojnë spekakël me këngë dhe brohoritje. Deri tashti kështu ishte edhe në Katar me anglezët. Tifozët anglezë janë edhe të dhunshëm, por në këtë kampionat, për çudi, ende asnjë prej tyre nuk është burgosur. Prandaj, sivjet Anglia duhet të jetë kampion. Jo vetëm pse anglezët janë duke luajtur mirë, por edhe për shkak të tifozëve dhe dashurisë për futbollin në këtë vend.





















