Drejtuesit linjave ajrore të mëdha amerikane dhe transportuesit e mallrave paralajmëruan të hënën për një “ndërprerje katastrofike” të fluturimeve dhe transportit detar, kur shërbimi i ri 5G mbarëkombëtar të fillojë të mërkurën nga AT&T dhe Verizon.
Letra, e raportuar fillimisht nga Reuters ishte firmosur nga drejtues të linjave ajrore dhe transportuesve kryesorë, duke përfshirë American, Delta, United, UPS dhe FedEx Express përmes grupit Airlines For America.
Letra kërkon që shërbimi 5G C-Band të mos vendoset brenda rrezes prej dy milje nga pistat e caktuara të aeroportit për të shmangur ndërhyrjet “të dëmshme” në industrinë e aviacionit, qytetarët, zinxhirin e furnizimit, shpërndarjen e vaksinave, fuqinë punëtore dhe gjithë ekonominë.
Nëse nuk ndërmerret “veprim i menjëhershëm”, kompanitë thonë se të paktën 100,000 udhëtarë mund të mbeten të bllokuar për shkak të anulimit të fluturimeve.
Letra iu drejtua krerëve të Administratës Federale të Aviacionit dhe Komisionit Federal të Komunikimeve, Brian Deese, Drejtorit të Këshillit Ekonomik Kombëtar, Pete Buttigieg, Sekretarit të Transportit dhe nga një kopje për kompanitë AT&T dhe Verizon.
Të dielën, FAA lëshoi një deklaratë për zbatimin e ardhshëm të shërbimit 5G, duke thënë se 45 për qind e fluturimeve komerciale të SHBA-së do të ulen në aeroporte ku do të ofrohet shërbimi 5G.
Letra e kompanive ka mbërritur pas shqetësimeve të ngritura nga disa inxhinierë që thanë se në disa modele avionësh, valët 5G mund të ndërhyjnë duke çrregulluar sistemet e tyre të kontrollit të shpejtësisë, duke u shkaktuar probleme sidomos gjatë uljeve në pistë.



















