Miliona njerëz po përballen me anulime fluturimesh dhe rritje të kufizimeve përgjatë Krishtlindjeve për shkak të Omicron. Italia, Spanja dhe Greqia kanë rivendosur detyrimin e mbajtjes së maskave edhe në publik.
Katalonja në Spanjë ka vendosur një ndalim-qarkullimi gjatë natës dhe Holanda është në një izolim edhe më të rreptë. Pavarësisht gjetjeve të hershme se Omicron është më i butë se variantet e tjera, shkencëtarët janë të shqetësuar nga numri i lartë i rasteve.
Infeksionet rekord u regjistruan në Britani, Francë dhe Itali të enjten.
Në SHBA, rastet ditore të Omicron janë rritur përtej kulmit të valës së fundit Delta dhe spitalet po mbushen në të gjithë vendin.
“Kur kemi miliona dhe miliona dhe miliona njerëz, të gjithë të sëmurë, të gjithë së bashku në të njëjtën kohë, nuk duhet një përqindje e madhe e atyre për të çuar spitalet në kolaps” tha për New York Times, Hallie Prescott, mjeke në Universitetin e Miçiganit.
Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në Amerikë, Anthony Fauci, paralajmëroi në fillim të kësaj jave se udhëtimi i Krishtlindjeve do të rriste përhapjen e variantit edhe në mesin e të vaksinuarve plotësisht.
Por, në prag të Krishtlindjeve, linjat ajrore amerikane thanë se tashmë po vuanin nga mungesa e personelit për shkak të testimit pozitiv të ekuipazheve të fluturimit, ose për shkak të detyrimeve ligjore për izolim.
United Airlines tha se numri në rritje i rasteve të Omicron kishte “ndikuar drejtpërdrejt në ekuipazhet e fluturimit”, duke shtuar se po kontaktonte pasagjerët për t’i njoftuar rastet kur fluturimet anulohen. Qindra fluturime amerikane të planifikuara për 24 dhjetor janë anuluar, sipas faqes së internetit FlightAware.
Ndërkohë, SHBA do të heqë kufizimet e udhëtimit të vendosura në tetë vende afrikane për shkak të shqetësimeve në lidhje me variantin Omicron më 31 dhjetor, konfirmoi Shtëpia e Bardhë.
Në Australi, gjithashtu, mijëra pasagjerë u prekën të premten me më shumë se 100 fluturime të brendshme nga Sidnei dhe Melburni në qytete të tjera të anuluara. Një zëdhënës i Jetstar, që anuloi shumë fluturime, tha se linja ajrore kishte riprenotuar “shumicën dërrmuese” të pasagjerëve të prekur “brenda disa orëve nga koha e tyre fillestare e nisjes, në mënyrë që ata të mund të arrijnë në destinacionin e tyre në kohë për Krishtlindje”.



















