Një autobus me nxënës është sulmuar me armë këtë të premte në Gllogjan të Deçanit në Kosovë.
Tre persona kanë mbetur të vdekur, mes tyre shoferi i autobusit dhe dy nxënës 17 dhe 18 vjeç.
Emrat e viktimave sipas të dhënave paraprake janë shoferi Gani Gjokaj dhe nxënësit Ledjon Hamazi e Ledjana Mustafaj
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodra Nikçi ka konfirmuar për Top Channel se 3 persona kanë humbur jetën dhe një tjetër nxënës është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Ai tha se prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas marrjes së informacioneve mediat do të njoftohen.
Mësohet se autobusi po udhëtonte nga Gjakova drejt Deçanit , ndërsa i plagosur ka mbetur një tjetër nxënës, i cili është në gjendje të qëndrueshme dhe do t’i nënshtrohet një operacioni.
“Rreth orës 19:00, Policia është njoftuar se në fshatin Gllogjan ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të një autobusi. Me këtë rast, Policia është në dijeni se dy persona kanë pësuar lëndime. Policia është në vend të ngjarjes dhe duke e hetuar rastin”, tha zëdhënësi i Policisë së Pejës, Fadil Gashi.
Nuk dihet ende se cilët kanë qenë atentatorët dhe shkaku i qëllimit me armë drejt autobusit.



















