Japonia u ka kërkuar vendeve evropiane të flasin kundër agresionit të Kinës. Ministri japonez i mbrojtjes kërkon që bashkësia ndërkombëtare të forcojë përpjekjet parandaluese kundër zgjerimit ushtarak dhe territorial të Pekinit, pas ka rrezik për një “konflikt të nxehtë”.
Në një intervistë për The Guardian, ministri japonez i mbrojtjes, Nobuo Kishi, tha se Kina po bëhet gjithnjë e më e fuqishme politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht dhe se “po përpiqet të përdorte fuqinë e saj për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme status quo -në në Detet e Kinës Lindore dhe Jugore”, të cilat janë vendimtare për transportin global.
“Ne kemi shqetësime të forta në lidhje me sigurinë jo vetëm të vendit tonë dhe rajonit, por edhe për bashkësinë globale”, paralajmëroi Kishi. “Kina po forcon fuqinë e saj ushtarake si në aspektin e sasisë dhe cilësisë, dhe po përmirëson me shpejtësi aftësinë e saj operacionale,” tha ai.
Komentet e Kishit janë një sinjal i fortë i rritjes së shqetësimit ndërkombëtar mbi ambiciet ushtarake të Kinës në rajone të diskutueshme si Deti i Kinës Jugore dhe Lindore, kufiri indian dhe në veçanti Tajvani.
Me Kinën që rrit aktivitetin ushtarak në rajon, ekspertët dhe figurat ushtarake globale kanë paralajmëruar gjithashtu se konfrontimet e vogla ose aksidentet detare mund të përshkallëzohen shpejt në një konflikt të plotë.
Komentet vijnë mes tensioneve të reja mbi një partneritet të ri trepalësh të sigurisë, sipas të cilit SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar do t’i japin Australisë teknologjinë për të ndërtuar nëndetëse me energji bërthamore. Aleanca kuptohet gjerësisht se synon të kundërshtojë Kinën./ The Guardian – Gazeta SHQIP/GSh



















