Rusia synon të mbushë vakuumin e lënë nga largimi i SHBA në Afganistan dhe për këtë qëllim, Moska është duke hedhur hapa të kujdesshëm e pragmatistë.
Hapi i parë u hodh nga Presidenti rus, Vladimir Putin. Në kulmin e krizës së evakuimeve, shefi i Kremlinit paralajmëroi se Rusia do të vlerësonte si kërcënim çdo operacion të zhvendosjes së refugjatëve afganë në republikat kufitare me Afganistanin, si Taxhikistan, apo Uzbekistan.
Deklarata stepi dy vendet, që ndërkohë ishin jozyrtarisht në bisedime me SHBA për të pritur refugjatët afganë, kryesisht shtetas që kishin bashkëpunuar me amerikanët. Pak pas këtij paralajmërimi të Putin, të dyja vendet refuzuan strehimin e tyre.
Rusia zyrtarisht i klasifikon talebanët ende si terroristë, po jozyrtarisht ka nisur bisedimet me ta, madje edhe duke i ftuar në Moskë. Një tjetër hap i kujdesshëm i Moskës ishte edhe qëndrimi i Ambasadës Ruse në Kabul fill pas rënies së qeverisë së Presidentit Ashraf Ghani, kur kjo ambasadë shpërndau një deklaratë që tha se ai ishte larguar me një helikopter të mbushur me para.
Deklarata e parë e Putin shkonte në një lijë me talebanët, që kërkonin të mbanin brenda vendit afganët që kërkonin të arratiseshin. Këtë qëndrim pragmatist e përforcoi i dërguari i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, foli në Këshillin e Sigurimit një ditë pasi talebanët morën Kabulin. Ai bëri thirrje për qetësi.
Mark Simakovsky, analist në Këshillin e Atlantikut foli me Zërin e Amerikës, duke komentuar qëndrimin e Moskës.
“Moska është shumë e etur për të përfituar nga boshllëku i krijuar dhe është në terren. Ata nuk do ta tërheqin ambasadën e tyre. Besoj se ka mundësi që do të jetë ndër vendet e para që do të njohë talebanët, megjithëse mendoj se jemi shumë larg kësaj”, thotë ai.
Rusia është gjithashtu e prirur të parandalojë eksportin e ekstremistëve dhe luftëtarëve islamikë në Azinë Qendrore. Moska shpreson se talebanët do të frenojnë futjen e drogës në rajonin e saj.
Një tjetër vend që po ndjek thuajse të njëjtën politikë pragmatiste është Turqia. Ankaraja ka shprehur gatishmërinë për të biseduar me talebanët, ku njëra prej çështjeve është menaxhimi i aeroportit të Kabulit.
Këtë qëndrim të Rusisë, ekspertët e interpretojnë edhe me afrimitetin e saj me Pakistanin, që për shumë analistë është vendi nga ku ka buruar mbështetja kryesore të talebanët ndër vite.
















