Në luftën kundër zjarrëve që kanë përfshirë Greqinë, një ndihmesë po jep dhe Serbia. Zjarrfikësit serbë sëbashku me Ukrainën dhe Rumaninë, po ndihmojnë ekipet greke në ishullin Evia për të vënë nën kontroll zjarret.
Mijëra njerëz janë evakuuar nga fshatrat në Greqi, e cila gjithashtu po merr ndihmë për shuarjen e zjarrit nga disa vende të tjera të BE -së, Izraeli, Zvicra dhe Britania e Madhe.
BE tha se po mobilizonte “një nga operacionet më të mëdha të përbashkët të zjarrfikësve ndonjëherë në Evropë” për të ndihmuar Greqinë dhe vendet e tjera të prekura.
Në kuadër të nismës Open Balkan pak kohë më parë, Rama, Vuçic dhe Zaev firmosën një marrëveshje për ndihmë reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore, por kjo ndihmë Shqipërisë i erdhi vetëm nga Kosova.
Edhe pse e ka kundërshtuar nismën “Open Balkan” dhe krerët e Prishtinës nuk kanë firmosur ndonjë marrëveshje, mbrëmjen e 9 gushtit, Kosova nisi drejt Shqipërisë 43 zjarrfikës dhe 9 mjete për të shuar flakët në malin mbi tunelin e Kalimashit. Këto ekipe zjarrfikëse nga Kosova iu bashkuan ndihmës që më herët erdhi nga Bashkimi Europian.
Mes vëllezërve, duket se nuk ka nevojë për marrëveshje për ndihmë./Gazeta SHQIP



















