Bashkimi Europian synon që brenda vitit 2050 të zerojë emëtimet e karbonit në atmosferë si pjesë e planit të quajtur “revolucioni i gjelbërt”.
Pjesë e këtij plani është promovimi i makinave elektrike dhe heqja e atyre me karburant. Për këtë qëllim, KE propozoi këtë të mërkurë ndalimin në të gjitha vendet e bllokut të makinave me naftë dhe benzinë.
Ambicia e Brukselit është e Europa të shndërrohet lider të padiskutueshëm në përmbushjen e qëllimeve të marrëveshjes së klimës në Paris. “Europa është tani kontinenti i parë që paraqet një arkitekturë gjithëpërfshirëse për të përmbushur ambiciet tona klimatike,” tha presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen.
Propozimet përfshijnë ndalimin e shitjes së makinave me naftë e benzinë duke filluar nga viti 2035 dhe ndalimin e qarkullimit të plotë të tyre brenda vitit 2050.
Propozimet u bënë publike nga zv.presidenti i Komisionit Europian, Frans Timmermans. Projektligjet pritet të nisin rrugën përmes sistemit legjislativ të BE, ndërkohë që parashikohen debate të ashpra mes 27 vendeve anëtare të bllokut që do të nxiten nga përfaqësuesit e industrisë së automjeteve nga njëra anë dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit nga ana tjetër.
Disa vende, sidomos anëtaret e unionit në jug dhe në lindje të Europës e cilësojnë të parakohshëm këtë plan dhe kërkojnë që heqja nga tregu i makinave të shtyhet për në 2050 dhe heqja e tyre nga qarkullimi në 2070.



















