Gjysmëfinalet dhe finalja e madhe në Londër parashikohet që t’i sjellin ekonomisë angleze rreth 110 milionë euro të ardhura shtesë, sipas ekspertëve të Deutsche Bank.
Ekonomistët e bankës kanë përllogaritur se në këtë shifër një pjesë të madhe ka si kontribut vetë ecuria e Anglisë, që të dielën luan në finale përballë Italisë. Dalja në finale do të rrisë konsumin, sipas ekspertëve të Deutsche Bank, duke sjellë xhiro milionash në qarkullim për hotelet, restorantet, baret dhe shëtitjet.
“Me gjysmëfinalet dhe finalet e luajtura në Londër, qyteti do të ndizet nga aktivitetet. Kombinuar kjo me mundësinë që trofeu të fitohet nga Anglia, përfitimet ekonomike do të jenë të mëdha”, thotë Shreyas Gopal.
Ekonomistët e Deutsche Bank besojnë se tifozët që do të ndjekin finalen e Wembley-t do të shpenzojnë mesatarisht 50 mln euro në ditë për akomodimin dhe 10 deri në 12 mln euro të tjera në ditë për pyje dhe ushqim.
Këtyre shifrave u shtohet edhe mundësia që vizitorët të shpenzojnë edhe me blerje të tjera nëpër dyqane. Megjithatë, ndikimi financiar mbetet minimal në krahasim me shpenzimet miliarda euroshe që janë bërë në kompeticionet e tjera të këtij lloji, si Francë 2016, apo Kupa e Botës në Rusi në 2018.
Sa i takon fituesve, ekspertët dhe statisticionët janë të ndarë. Deri para ndeshjes me Danimarkën, Anglia konsiderohej favorite për ta fituar trofeun. Por fitorja e vështirë me danezët dhe bilanci negativ historik me Italinë kanë bërë që ekspertët e “The Economist” të ndryshojnë mendim.
Tani, Italia vlerësohet se ka 60 për qind mundësi që të ngrejë trofeun në fund, ndërsa Anglia vetëm 40 për qind. Ndryshe nga “The Economist” mendojnë ekspertët e Goldman Sachs, që parashikojnë një fitore të Anglisë, megjithëse vetëm në kohën shtesë.



















