Gjykata, institucioni ku pritet të vendoset drejtësi, në Elbasan është kthyer në “pasarelë” sfilatash për TikTok. Kryetarja e gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani ka “harruar” krimin dhe shfaqet duke bërë “modelen” në Tik Tok, duke e kthyer zyrën në një pasarelë.
Në këtë rrjet social u postuan katër video që u publikuan në media, duke shkaktuar një furtunë të vërtetë reagimesh. Gjyqtarja e mohoi që të kishte hedhur video nga zyra e saj në këtë aplikacion, duke aluduar se dikush po ia bën puccin.
Sakaq Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka bërë të ditur se do të nisë një hetim procedural mbi këtë video, pasi është shkelur Kodi i Etikës.
Në Shtator të vitit 2020, Enkeleda Kapedani u zgjodh në krye të gjykatës së Elbasanit, pas dorëheqjes të gjyqtarit Zihni Shahu.
Për Kapedanin hetimet-Vetting kanë nisur në muajin Mars të vitit 2020. Gjyqtarja Enkeleda Kapedani, bëri bujë në media, pasi vendosi lirimin e menjëhershëm nga burgu i Peqinit, të Viktor Imerit, pjesëtar i bandës famëkeqe të Gaxhait.
Gjykata e Elbasanit liroi nga burgu Viktor Ymerin në 27 dhjetor 2019, i cili ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës e Ilir Xhungës.
Vendimi i gjykatës së Elbasanit shkaktoi mjaft reagime në publik për shkak të së shkuarës së Ymerit dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të Vlorës.
Një tjetër çështje që ka pasur në duar kjo gjyqtare, ka lidhje me dosjen e korrupsionit në Universitetin e Elbasanit, në vitin 2018, kur la në burg 4 nga 7 personat e arrestuar nga policia. Sa i përket pasurisë, gjyqtarja Enkeleda Kapedani të ardhurat i ka nga paga si gjyqtare dhe nga mësimdhënia në privat e më pas në Universitetin Shtetëror të Elbasanit. Është bërë standard që gjyqtarët, pavarësisht dojseve të shumta në Gjykatë, shpërndahen edhe nëpër Universitete.
Por “surprizat” nuk mbarojnë me kaq, lidhjen me modelingun Enkeleda Kapedani, sot kryegjyqtare e Elbasanit në hetim disiplinor për shkelje të Kodit të Etikës, e ka pasur që në moshën 18-vjeçare. Foto që është hedhur në Tik-Tok, profil të cilin u fshi më pas, teksa rikujton kohën kur merrte pjesë në Miss Shqipëria të vitit 2003.



















