Kryetari i KQZ Ilirian Celibashi gjithashtu konfirmoi se në zgjedhjet e 25 prillit Diaspora nuk do të votojë. Celibashi deklaroi se Shqipëria nuk e ka Diasporën, sepse nuk është e regjistruar dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve që duhet ta kishin bërë punën e tyre më mirë.
Sipas kreut të KQZ-së, janë shumë pak të regjistruarit, dhe hapi i parë është që qeveria dhe partitë politike të nxisin shqiptarët jashtë vendit të regjistrohen.
“Për këto zgjedhje nuk do të jetë e mundur dhe pse kemi patur të gjithë angazhimin institucional qoftë unë si komisioner apo në tërësi KQZ po për shkak të kohës dhe kompleksitetit të procesit nuk e patëm të mundur që vota e diasporës të ishte e realizueshme dhe për këto zgjedhje. Jo për tu justifikuar po dua të sjell në vëmendje që dhe nëse ky proces nga pikëpamja e infrastrukturës dhe po u miratuan aktet nënligjore, ne na mungon diaspora zyrtarisht. Nga 800 e ca para ca muajsh sot kemi 3600. Prapë do organizonim një proces zgjedhor për një numër pothuajse të papërfillshëm qytetarësh shqiptarë që jetojnë jashtë territorit dhe përsëri nuk do realizonim qëllimin për t’i krijuar mundësi për të votuar, kjo do të thotë që qeveria dhe partitë politike duhet të nxisin të gjithë qytetarët tanë që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë për tu regjistruar dhe deklaruar vendbanimin e tyre të përhershme, përndryshe prapë do jemi në situata ku dhe pse duhet ti kemi aktet nënligjore të miratuara dhe infrastrukturën të ngritur do na mungojnë votuesit”, tha ai.





















