Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka miratuar sot raportin për progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke u fokusuar në përmbushjen e 15 kushteve të vendosura për çeljen e negociatave.
Në raport ngrihet shqetësimi në lidhje me akuzat për blerjen e votës, duke theksuar se ndjekja penale për këtë çështje është një ndër kushtet e vendosura nga Këshilli më 25 mars të vitit të kaluar.
Po ashtu, në raport vihet theksi edhe te marrëveshja e 5 qershorit mes palëve politike, duke vënë në dukje “dështimin për t’u mbështetur më tej në të”.
“Mirëpret rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, i cili zbatoi disa nga rekomandimet e OSBE / ODIHR, por vë në dukje dështimin për t’u mbështetur më tej në të dhe faktin se pavarësisht thirrjeve të përsëritura ndërkombëtare për të pritur opinionin e Komisionit të Venecias, hapat e mëtejshëm u morën pa një konsensus të gjerë ndërpartiak që rezulton në miratimin e ndryshimeve të diskutueshme të Kodit Zgjedhor në Tetor 2020 nga Parlamenti Shqiptar”, thuhet në raport.
Një tjetër shqetësim që preket në raport është edhe ai në lidhje me pastrimin e parave, veçanërisht në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme.
Në lidhje me paketën anti-shpifje, raporti inkurajon zbatimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias të 19 qershorit.
“Shpreh në mënyrë të përsëritur shqetësimin rreth masave të propozuara fillimisht nën të ashtuquajturën ‘paketë anti-shpifje’ dhe vëren se çdo rishikim i ligjeve të medias dhe Kodit Penal duhet të bëhet në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke garantuar se zërat dhe mendimet e shoqërisë civile, medias dhe gazetarëve të dëgjohen me qëllim të përmirësimit të lirisë së medias dhe mjedisit të punës së gazetarëve të pavarur”, theksohet mes të tjerash në raport.



















