TIRANË – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka reaguar pasi një e vetëquajtur OKSE po zhvillon anketa dhe studime, duke pretenduar se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Përmes një reagimi zyrtar, OSBE thotë se nuk ka asnjë lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri dhe se nuk është e përfshirë në sondazhe zgjedhore.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dëshiron të sqarojë se ajo nuk ka asnjë lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri. OSBE-ja nuk është dhe nuk do të jetë e përfshirë në sondazhe zgjedhore, dhe ajo distancohet plotësisht nga kjo organizatë dhe veprimet e saj.“, thuhet në reagim.
OSBE paralajmëron edhe veprime ligjore kundër organizatës që po përdor emrin e saj
“Ne kemi vënë në dijeni autoritetet përkatëse lidhur me çështjen dhe rezervojmë të drejtën të ndjekim veprime ligjore kundër përdorimit të paautorizuar të emrit apo logos së OSBE-së. Me këtë rast, informojmë se emri i OSBE-së, emblema e saj dhe logo të tjera, që janë pronë ekskluzive e OSBE-së, mbrohen nga Neni 6 i “Konventës së Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale” dhe nuk mund të kopjohen, të riprodhohen, të shfaqen apo të përdoren pa lejen paraprake me shkrim të OSBE-së.”.



















