Liderët serbë të Bosnjës e Hercegovinës synojnë që statusin e Republikës Serbe ta barazojnë me statusin e Kosovës.
Të enjten, në takimet me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në kryeqendrën e Republikës Serbe, Banjallukë, ata kërkuan që statusi i këtij entiteti të Bosnjës e Hercegovinës të diskutohet paralalisht me atë të Kosovës.
“Kosova nuk mund të jetë shtet i njohur ndërkombëtarisht, ashtu siç e njohin disa shtete në botë, por nëse nisemi nga pozicioni që mbajnë ata që e pranojnë këtë (shtetin e Kosovës), atëherë edhe Republika Serbe do të duhej të trajtohej njësoj”, ka thënë Milorad Dodik, anëtar i presidencës tripalëshe të Bosnjës e Hercegovinës, gjatë konferencës së përbashkët për gazetarë me Vuçiqin.
“Ne jemi shumë të interesuar për bisedimet që lidhen me statusin e Kosovës”, ka shtuar ai.
“Duhet të bëhet pjesë e diskursit publik, sepse është e pamundur të flitet për një status të veçantë të Kosovës pa folur për një status të veçantë të Republikës Serbe të Bosnjes”, ka theksuar Dodik, i cili vazhdimisht është angazhuar për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja e Hercegovina.
Vuçiq ka thënë se është detyra e tij t’i dëgjojë vëllezërit e tij serbë dhe t’i ndihmojë ata, me çfarëdo mënyre që mundet, por theksoi se Serbia është e pafuqishme të ndryshojë Marrëveshjen e Dejtonit, e cila nuk e lejon shtëputjen e Republikës Serbe nga Federata e Bosnjës e Hercegovinës.
“Dejtoni është një marrëveshje e shenjtë për ne. Ne jemi garantues i zbatimit të marrëveshjes së paqes në Dejton”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka premtuar 100 milion euro ndihmë për ndërtimin e një pjese të rrugës që e lidh qytetin lindor të Republikës Serbe, Bijelinës, me kufirin me Serbinë. Ai ka thënë se Serbia po e shikon edhe mundësinë e ndërtimit të një aeroporti në qytetin juglindor të Bosnjës e Hercegovinës, Trebinjë.





















