Ka përfunduar dita e dytë e intervistimit të Presidentit Hashim Thaçi në Hagë nga Prokuroria Speciale në lidhje me akuzat për krime lufte.
Pas 6 orësh intervistim Thaçi nuk u prononcua për mediat
“U mora në pyetje nga dy prokurorë. Sot dëgjova bisedën juridike mes avokatit dhe prokurorëve. Nesër do të rikthehem sërish për të vazhduar këtë proces” ishin fjalët e para të Thaçit dje.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, njoftoi se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita që ka.
Nëse gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju, vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.




















