Klint Williamson, ish-ambasadori i përgjithshëm i SHBA-së për Çështjet e Krimeve të Luftës që shërbeu si Prokuror Special i Bashkimit Europian për krimet e luftës të kryera nga shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas luftës së vitit 1999 në Kosovë, bëri një deklaratë ditën e djeshme në lidhje me publikimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
Williamson u shpreh se këto hetime nuk janë një përpjekje për të rishkruar historinë e Luftës së Kosovës dhe se ai ka qenë dëshmitar i krimeve të serbëve në Kosovë, por ai tha se duhen hetuar edhe krimet e individëve të veçantë që u bënë ndaj serbëve pas përfundimit të luftës.
“Disa, për të mbrojtur veten e tyre, janë përpjekur ta paraqesin këtë hetim si një sulm ndaj luftës së Kosovës për liri ose kundër UÇK-së si një organizatë. Shumë kosovarë iu bashkuan UÇK-së me qëllimet më të mira dhe ata kundërshtuan kriminalitetin e shfrenuar që shfaqej pas luftës.
Disa prej tyre kanë treguar guxim dhe integritet të madh duke dalë përpara si dëshmitarë dhe duke treguar atë që dinë për ata që morën një rrugë të ndryshme, për ata që në pozicione drejtuese përqafuan kriminalitetin dhe donin të përdorin UÇK-në për të çuar më tej objektivat e tyre personale.
Pra, duhet të jetë e qartë se ky hetim dhe çdo akuzë që rrjedh nga ai, janë për veprimet kriminale të individëve brenda grupeve të veçanta, jo ndaj UÇK si një e tërë”, – thotë ish-ambasadori amerikan.



















