Shifrat e të prekurve me koronavirus në Shqipëri shënojnë çdo ditë e më shumë të infektuar. Burime të Dosja.al bëjnë me dije se deri më tani pozitivë me koronavirus kanë rezultuar 15 persona, megjithatë numri mund të jetë edhe më i lartë pasi nuk kanë dalë të gjitha përgjigjet.
Dy prej tyre i përkasin forcave të rendit. Njëri prej tyre, i cili është emër i njohur për Dosja.al (për arsye etike nuk e publikojmë emrin), mësohet se është punonjës i Gardës së Republikës dhe shoqëron personalitete.
Mësohet se efektivi i Gardës kishte më shumë se një javë që kishte shfaqur simptoma por nuk testohej nga autoritetet shëndetësore. Ndaj testin e ka bërë në mënyrë private duke shmangur procedurat e ISHP-së. Pas tij, pozitiv ka rezultuar gjithashtu një tjetër efektiv i Forcave Speciale, gjithashtu një emër i njohur për redaksinë.
Nuk dihet se cila është gjendja shëndetësore e tyre megjithatë nuk përjashtohet mundësia që gjatë gjithë kohës që nuk u është bërë kontrolli, të dy efektivët e Gardës të kenë infektuar ndonjë personalitet të rëndësishëm që kanë shoqëruar. Megjithatë deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar.



















