Pas denoncimit nga emisioni Fiks Fare në Top Channel, policia e shtetit ka përjashtuar nga radhët e saj një efektiv që u kërkonte seks qytetarëve për të kaluar kufirin drejt Greqisë.
“Duke marrë shkas nga transmetimi në një emision investigativ, i shkeljes së rëndë të kryer nga punonjësi i Policisë P. Ç., trup shërbimi në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit beri përjashtimin e menjëhershëm të këtij punonjësi policie nga radhët e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët dhe i inkurajon ata që të denoncojnë çdo abuzim me detyrën, nga punonjësit e Policisë, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm”, njoftoi policia.
“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së hënës një punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë në pikën e kalimit kufitar në Kakavi, Gjirokastër, i cili u ka kërkuar disa qytetareve marrëdhënie intime në këmbim të kalimit të tyre ilegal në Greqi.
Nëpërmjet kamerave të fshehta, emisioni investigativ faktoi se punonjësi ka lidhje të forta me grupet kriminale që trafikojnë njerëz për në Greqi. Duke shfrytëzuar këto lidhje, punonjësi u kërkon favore këtyre shtetasve.
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua një emigrant në Greqi, i cili tha se në datën 4 mars 2020, ai sëbashku me bashkëshorten shtatzënë dhe vajzën ka kaluar në Greqi.



















