Bashkimi Evropian vazhdon me nismat për të gjetur zgjidhjen për rimëkëmbjen financiare të unionit. Në BE e ardhmja parashikohet e zymtë, pasi për shkak të pandemisë pritet që dëmet ekonomike të jenë të mëdha. Por më 23 prill, liderët ekonomikë kanë vendosur që të zhvillojnë një video-samit për të diskutuar përgjigjen e përbashkët financiare ndaj recesionit ekonomik.Ata pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian, që të propozojë një Fond të Rimëkëmbjes, i cili do të shënjestrojë sektorët dhe rajonet më të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi.
“Unë propozoj që t’i kërkojmë Komisionit të analizojë nevojat e sakta, dhe të prezantojë një dokument që bashkon të gjitha sfidat me të cilat po përballemi”, ka thënë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Bazuar në disa propozime, shuma e Fondit në fjalë mund të shkojë nga 1 deri në disa trilionë euro.
Megjithatë ende nuk është bërë e qartë se si do të mbushet ky Fond, në formë të kredive apo granteve.



















