E përditshmja ndërkombëtare “Financial Times” ka realizuar një studim të pavarur, bazuar te të dhënat e Zyrës Kombëtare të Statistikave në Mbretërinë e Bashkuar. Gazeta financiare pretendon se numri i viktimave nga COVID-19 mund të jetë më i madh se dyfishi i atij që raportohet nga qeveria.
Në bazë të një studimi të bërë nga “Financial Times”, numri i të vdekurve nga COVID-19 në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 41 000 persona, ndryshe nga shifra zyrtare 18 100 viktima. Rezultatet e studimit bazohen në të dhënat e Institutit Kombëtar të Statistikave duke përfshirë aty edhe numrin e të vdekurve jashtë spitaleve.
Sipas analizës, piku i vdekshmërisë ka qenë më 8 Prill. Që atëherë ka pasur rënie të vazhdueshme edhe pse ajo javë ka shënuar shkallën më të lartë të vdekshmërisë në 20 vitet e fundit. Sipas “Financial Times”, të dhënat e Institutit të Statistikave janë në nivele të ulëta pasi ato bazohen në të dhënat e marra nga zyrat statistikore dhe të dhënat për vdekjet e personave i marrin 4 ditë pas vdekjes së personit.
Carl Henegan, një profesor i Universitetit të Oxfordit u shpreh se të dhënat e marra së fundi tregojnë së Mbretëria e Bashkuar nuk është përballur me një shkallë kaq të lartë vdekshmërie nga asnjë lloj virusi gripal. Një nga viruset që ka shkaktuar një shkallë vdekshmërie të lartë është ai i vitit 2017-2018 si pasojë e të cilët humbën jetën 50 000 persona, por ndryshimi është se numri i të vdekurve ishte në një periudhë më të gjatë kohore.
Të dhënat e ONS gjithashtu treguan se, vdekjet në shtëpi dhe në azilet e pleqve janë rritur ndjeshëm gjatë pandemisë. Prof. Spiegelhalter tha se, coronavirusi nuk është shënuar si shkak në shumë nga certifikatat e vdekjes, por ka të ngjarë të jetë një faktor i drejtpërdrejtë ose indirekt.



















