Tim Judah, gazetar dhe publicist i njohur britanik, njohës shumë i mire i zhvillimeve në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë pasur në tryezë edhe çështjen e shkëmbimit të territoreve midis dy vendeve.
“Sipas burimeve të mia, është diskutuar për shkëmbim toke”, ka thënë Judah në emisionin “Desku” në KTV.
“Shumë njerëz e dine, nga shumë burime, se kjo ide është hedhur në tavolinë, është diskutuar, në një formë apo në një tjetër, edhepse, sikurse e dini, ajo është hedhur poshtë nga politikanë të lartë”, ka thënë ai.
Judah ka thënë se nga burimet e tij ka marrë vesh se është disktuar për shkëmbim territoresh në veri të Kosovës dhe në Luginë të Preshevës. Por, ai ka shtuar se nuk beson se Thaçi e Vuçiqi kanë arritur të merren vesh.
“Mund të them se ata kanë diskutuar për një pjesë të caktuar të veriut, mbase duke shmangur pjesën e Mitrovicës Veriore, mbase duke e shmangur Ujmanin, mbase ata kanë diskutuar edhe ku do të kalonte vija në Preshevë në Luginë, nuk mendoj se ka pasur diçka për të cilën ata përnjëmend janë pajtuar. Dua të them, mendoj se këto kanë qenë ide që janë diskutuar, janë sjellë dhe kanë shkuar. Kështu, nuk mendoj se kanë qenë afër ndonjë marrëveshjeje të tillë. Por, mendoj se krejt këto gjëra janë diskutuar në një formë apo në një tjetër”, ka thënë Judah.
Ai ka thënë se nga burimet e tij ka marrë vesh se Presidenti i Serbisë ka kërkuar me ngulm që Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë të ketë kompetenca ekzekutive, me çka do t’I paqësonte njerëzit e linjës së fortë në Beograd.
“Me sa kuptoj unë, zoti Vuçiq ka ngulmuar të marrë diçka për shkëmbimin e tokave, në mqnyrë që do të mund t’ua shiste njerëzve të tij të linjës së ashpër. Por, kjo është diçka e vështirë për t’u bërë”, ka thënë ai.
Sipas tij, ideja për shkëmbim territoresh ka ardhur nga administrate e presidentit Donald Trump, ndërsa njëri nga shtytësit e idesë ka qenë ish-këshilltari i Presidentit Tump për siguri kombëtare, John Bolton.
“Me aq s akuptoj unë, John Bolton ishte njëfarë shtytësi i kësaj ideje. Por, se si kanë nisur gjërat saktësisht, kush kujt çka I ka thënë, këtë do ta mësojmë kur njerëzit t’i shkruajnë biografitë e tyre”, ka thënë Judah.
Ai ka thënë se ideja për shkërmbim territoresh nuk mund të shmanget, por ka shprehur bindjen se kjo ide është e parealizueshme.
“Personalisht nuk mendoj se mund të ketë ndonjë marrëveshje për ndonjë prej këtyre gjërave. Mendoj se ka shumë pengesa”, ka thënë Judah.



















