Një grup emigrantësh shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë udhëtuar ditën e sotme drejt kufirit me Shqipërinë në Kakavijë për të provuar kthimin në Shqipëri. Prej disa orësh ata kanë ngecur në kufi, pasi emergjenca shëndetësore e COVID-19 e ka detyruar vendin të mbyllë të gjithë kufijtë tokësor dhe ajror si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit.
Burime nga Ministria e Jashtme i thanë Euronews Albania se qindra emigrantë kanë tentuar të kthehen në formë të paorganizuar për në Shqipëri, por autoritetet janë detyruar të mos lejojnë hyrjen e tyre për shkak të mungesës së një autorizimi të veçantë hyrje.
Leja në fjalë, ashtu sikurse autorizimet që shtetasit shqiptarë brenda vendit përdorin, duhet të ketë një nevojë jetike dhe për emigrantët në Greqi duhet të lëshohet nga Konsullata shqiptare atje.
Për këtë arsye shqiptarëve të mbetur mes kufirit Greqi-Shqipëri autoritetet i kanë ofruar ushqim dhe i kanë vënë në dispozicion një autobus që të kthehen pas në qytetet greke ku banojnë.
Burimet përsëritën për Euronews Albania se personat që janë në kushte emergjence duhet të marrin patjetër leje për të kaluar nga konsullata shqiptare në Greqi.
Një ditë më parë Ambasada Greke në Shqipëri, sqaroi “se absolutisht në asnjë rast Autoritetet Greke nuk pengojnë daljen nga vendi të qytetarëve Shqiptarë që dëshërojnë të hyjnë në Shqipëri nëpërmjet pikave kufitare të kalimit Greqi – Shqipëri. Për më tepër, janë dekretuar amendime të posaçme që parashikojnë zgjatje të lejeve të qëndrimit që skadojnë brënda afatit kohor gjatë të cilit janë në fuqi masat e jashtëzakonshme.”
Lidhur me situatën Ambasada Shqiptare në Greqi ka shpërndarë në Facebook njoftimin e Ministrisë së Jashtme ku informohen të gjithë qytetarët shqiptarë të bllokuar jashtë vendit, se plani i riatdhesimit është mbyllur ditën e djeshme me fluturimin e bërë nga kryeqyteti i Italisë, Roma.
Ministria bën me dije se janë informuar të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët vazhdojnë të jenë të bllokuar jashtë Shqipërisë, për shkak të mbylljes së kufijve tokësorë dhe ajrorë, dhe që kanë nevojë për ndihmë apo informacion, se duke nisur nga dita e sotme duhet të telefonojnë ose të çojnë një mesazh në aplikacionin WhatsApp, vetëm në numrat e vënë në dispozicion për emergjencat nga vetë MEPJ, ose në adresat e e email-it: emergjencat@mfa.gov.al dhe dk@mfa.gov.al.
Numrat e vendosur në dispozicion mund t’i kontaktoni nga ora 09:00-17:00.
00355694045503
00355694045502
00355694045500
00355694045498
00355694045495
00355694045505
00355694045501
00355694045499
00355694045497
00355694045496
Numrat e vendosur në dispozicion mund t’i kontaktoni nga ora 08:00-20:00.
00355694045493
00355694045487
00355694045492
00355694045494
00355694045489
00355694045486
00355694045490
00355694045491
00355694045485
00355694045488
Kryeministri i vendit, Edi Rama, pak ditë më parë tha se në listën e riatdhesimit të MEPJ-së kanë qenë mbi 1300 shqiptarë, ndërsa kreu i qeverisë ka sqaruar se asnjë shtetas shqiptar, të cilët janë me leje 90 ditore në tokën helene që mund të kenë kaluar këtë afat kohor nuk do të gjobiten prej shtetit grek si pasojë e mbylljes së kufirit.
Kjo masë ka sjellë problematika për më shumë se 200.000 emigrantë shqiptarë të ndodhur në Greqi, ndërkohë Euronews Albania ka mësuar se janë mbi 3000 shqiptarë të cilët kanë kaluar afatin e tyre kohor prej 90 ditësh për të qëndruar në shtetin e huaj të cilët presin hapjen e kufirit për t’u rikthyer drejt vendit të tyre.



















