Itali / Çmendet bilanci, 969 vdekje në 24 orë por infektimet po bien
Vetëm pak orë më parë, presidenti i rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana u shpreh optimist. “ Linja e infektimeve nuk po rritet, madje përkundrazi, them se ka nisur rënia”, deklaroi ai. Fontana tha se ka pasur një shtim të numrit të testeve krahasuar me ditët e shkuara, e pavarësisht kësaj vihet re një reduktim I numrit të të prekurve. “ Kjo na gëzon”, u shpreh zyrtari duke shtuar, se ky është njëkohësisht demonstrimi i faktit që duhet të bëhen mesatarisht 5 ditë për të pasur një tablo më të qartë te situatës, teksa theksoi se tampon do të bëhet edhe për personat me një simptomë të vetme të sëmundjes.
Por Instituti Kombëtar i Shëndetit ishte më i kujdesshëm në përfundime. Kreu i tij, Silvio Brusaferro, deklaroi se piku nuk ka mbërritur ende, edhe pse shtoi se ka shenja të qarta “të uljes” së numrit të të prekurve. Pritshmëritë e ngritura nga këto pretendime, u dërrmuan nga shifrat e 24 orëve të fundit: 969 vdekje për një ditë! Bilanci i jetëve të humbura nuk ka qenë kurrë më I lartë që nga fillimi i epidemisë. 46 prej viktimave janë mjekë. Lombardia vazhdon të jetë rajoni me numrin më të lartë të vdekjeve, megjithatë autoritetet lokale thonë se nëpër spitale më në fund po merret pak frymë, pasi nuk po mbërrijnë më aq shumë pacientë me Covid 19!



















