Numri i mjekëve dhe infermierëve të infektuar me koronavirus ka arritur në 7 dhe në të gjitha rastet, infektimi ka ardhur nga vetëm një person. Bëhet fjalë për 62 vjeçarin nga Lushnja që ishte i shtruar në Sanatorium për ftohje.
Ai tashmë ndodhet në Infektivin e Tiranës dhe është një nga tre personat në reanimacion, por në gjendje stabile.
Ai u vizitua para disa ditësh nga një i afërm i ardhur nga Italia. Dyshohet se i afërmi i tij është i prekur me koronavirus, i cili ka infektuar të pacientin dhe ky i fundit mjekët. Ndërkohë është e paqartë situata e të afërmit “vizitor”, nuk dihet se ku ndodhet, dhe se sa persona të tjerë mund të ketë infektuar.
Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private. Rama iu bëri thirrje sot spitaleve private për t’ju bashkuar shërbimit shëndetësor publik.
Ai paralajmëroi se do të gjobiten me 5 mln lekë spitalet që mund të refuzojnë këtë thirrje dhe bizneset që rritin çmimet. E vetmja këshillë e përbashkët e institucioneve dhe mjekëve është që qytetarët të qendrojnë në shtëpi dhe të kenë sa më pak kontakte me të tjerët.



















