Pas vrasjes së ndodhur në Rrëshen disa ditë më parë ku mbetën të vdekur dy persona përkatësisht motër e vëlla, është zbuluar se Esmeralda Filopati ka qenë me urdhër mbrojtje.
Por kjo siç duket nuk e ka penguar ish bashkëshortin e saj me të cilin kishte 3 fëmijë, që të afrohej disa herë pranë banesës në të cilën jetonte Esmeralda, derisa në një moment t’i merrte jetën asaj dhe të vëllait.
Në fakt kjo ngjarje tregon edhe brishtësinë e insitucioneve dhe mosfunksionimin e mekanizmit të urdhërit të mbrojtjes, dhe të gjithë zinxhirit që parashikon Ligji “Për Masat Mbrojtëse për Parandalimin e Dhunës në Familje”.
Edhe pse në vendin tonë jepen me mijëra urdhëra mbrojtje çdo vit, të cilat mund të jepen si urdhëra të menjëhershëm mbrojtje ashtu edhe të zakonshëm të lëshuar nga gjykata, sërish këto urdhëra vazhdojnë të “shkelen” nga dhunuesit. Dhunues të cilët në pjesën më të madhe janë ish bashkëshortët.
Ajo që nxjerr në pah kjo ngjarje por edhe shumë të tjera si kjo, është nevoja për krijimin e një mekanizmi funksional për referimin e dhunës dhe rehabilitimin e viktimës. Komponentë këto që mungojnë prej vitesh në vendin tonë dhe që kanë sjellë vrasjen e shumë femrave.
shqip



















