Sigura dhe rendi publik janë vënë jo rrallë herë në dyshim në vendin tonë, referuar kështu shumë ngjarjeve që kanë pasur lidhje me elementë të ndryshëm kriminalë.
Dhe pikërisht për këtë arsye janë lakuar edhe emrat e përfaqësuesve të policisë së shtetit si të lidhur me këto ngjarje.
Një fenomen duhet thënë tashmë jo i panjohur për realitetin shqiptar.
Ndaj edhe siç po zhvillohet vettingu ose i quajtur ndyshe procesi i vlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët, duhet thënë që po zhvillohet një i tillë edhe për policinë e shtetit.
I njohur si Ligji “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punojësve të policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çëshjtet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” u miratua më 05.03.2018.
Ky ligj u prezantua që në fillim si një mënyrë që do të vlerësonte njëherë e mirë figurën e policisë, dhe do ta shkëpuste këtë të fundit nga çdo aludim i mundshëm që mund të qarkullonte për lidhjen e saj me krimin apo korrupsionin. E në fakt ky është edhe meraku më i madh i opinionit publik.
Për t’u rikthyer tek Ligji dhe tek mënyra sesi do të “vetohen” apo kontrollohen policia e shtetit ajo që nxirret nga kuadri ligjor është fakti që ky kontroll do të bëhet në disa faza.
Të parët që e kanë nisur dhe që do ta vazhdojnë këtë proces kontrolli janë zyrtarët e lartë dhe drejtuesit e kupolës së policisë së shtetit. Janë pra të gjithë ata funskionarë që mbajnë grada të larta, prej të cilëve numri i tyre llogaritet të jetë deri në 245 zyrtarë.
Së dyti pjesë e procesit të vlerësimit do të jenë punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe sektorëve brenda saj, dhe në fund të gjithë punonjësit e policisë së shtetit që punojnë në rrethe dhe zonat vendore.
Pikërisht edhe në kuadër të ndarjes së këtyre fazave vlerësimi, ligji parashikon edhe organizimin e funksionimin të tre organave vlerësuese. Së pari për zyrtarët e lartë të policisë që ne cituam më sipër ngrihet Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.
Për kategorinë e dytë, vlerësimet do t’i bëjë Komisioni Qendror i Vlerësimit, ndërsa për punonjësit vendor në drejtori qarku apo komisariate të rrethit e njësitë e tyre vlerësimet do t’i bëjë Komisioni Vendor i Vlerësimit.
Tre Komisionet e mësipërme do të përbëhen nga 5 antarë secili duke e çuar kështu numrin në 15 antarë vlerësues. Antarët sipas këtij ligji do të vijnë nga fusha akademike, profesinistë të tjerë dhe antarë të ILDKP-së.
Gjithashtu ky ligj parashikon se i gjithë vlerësimi i një zyrtari apo punonjësi të thjeshtë të policisë do të bazohet në tre komponentë kryesorë: pasuria e kandidatit, kontrolli i figurës dhe aftësia profesionale.
Në kuadër të ligjit, ndryshe nga Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, policët e shkarkuar nuk do të kenë më të drejtë të kthehen në strukturat e policisë së shtetit.



















