Bashkimi Europian nuk është në garë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, deklaroi në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell. Këto komente, Borell i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Shefi i diplomacisë europiane tha se Brukseli është i përkushtuar që të lehtësojë arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. “Ne jemi këtu që ta lehtësojmë marrëveshjen mes dy vendeve. Të njëjtën gjë po e bën edhe zoti Grenell.
Unë nuk shoh të ketë këtu ndonjë dallim. Ne nuk po bëjmë gara njeri me tjetrin, ne duam të punojmë së bashku pa dallime, nuk po kërkojmë që të arrijmë patjetër sukses, por po kërkojmë që të jemi aty, të bëjmë shërbimin tonë, dhe të arrijmë një rezultat”, tha Borell.
Shefi i diplomacisë europiane shtoi se Bashkimi Europian nuk do të duket i kompletuar pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor.
“E di dhe i shoh vuajtjet dhe problemet që ju dhe shtetet e tjera kanë pasur dhe duam të sigurojmë stabilitet dhe siguri për secilin. Nuk po e themi këtë për shkak të publikut, por sepse e mendojmë kështu. Kjo është edhe në interesin tonë gjithashtu. Stabiliteti në rajon dhe siguria, prosperiteti e liria e secilit shtet në Evropë është në prioritetin tonë”, tha Borell.
Ai sqaroi se Brukseli dëshiron ta shohë sa më shpejt të formuar qeverinë e re të Kosovës në mënyrë që të nisë punët e shumta që e presin.



















