Mund të duket krejt e çuditshme sesi u zbulua kontenieri me një ton drogë në portin privat grek mëngjesin e kësaj të shtune. Madje edhe vetë trafikantët që ishin shqiptarë dhe grekë kanë mbetur të befasuar, sesi Policia greke ka shkuar pikërisht në vendin ku ndodhej droga, teksa kontenieri qëndronte aty të paktën që prej së enjtes.
Por Policia shqiptare e ka të qartë të gjithë skemën sesi ka ndodhur. Droga është nisur nga Ekuadori. Në nisje të saj nuk ka pasur asnjë trafikant shqiptar. Përkundrazi në kontenier ishin dy grekë dhe një amerikan, që kishin lidhjet e tyre me trafikantët shqiptarë.
Por, këtu është “hileja”. Sepse amerikani që u hoq si trafikant është një oficer i DEA amerikane për hetimin e çështjeve të trafikut në Ballkan. Kaq është dashur, që prezenca e tij të bëjë të mundur të gjithë hetimin e çështjes, rrugëtimin e drogës, implikimin e personave, zbulimin dhe në fund sekuestrimin e drogës.
Burimet e Policisë shqiptare thonë se kontenieri ka mbërritur në Durrës të enjten e javës së kaluar. Më pas në të janë kryer disa veprime që nuk kanë pasur lidhje me autoritete doganore, as me policinë.
“Malli” është ndarë në dy kontenierë të tjerë dhe një skaf i fuqishëm ka marrë një ngarkesë. Skafi është nisur drejt Vlorës, ndërsa kontenieri ka qëndruar edhe për pak ditë më Durrës. Të gjitha këto janë fiksuar nga oficeri-trafikant i DEA, që raportonte përmes mjeteve të posaçme.
Policia shqiptare thotë se që nga viti 2013, trafikantët e kokainës nga Ekuadori e përdorin vendin tonë si trampolinë për tregun europian. Për t’u veçuar është qyteti nga i cili janë nisur shumë nga ngarkesat, Gujakail një qytet portual i Ekuadorit. Rasti i parë daton në nëntor të vitit 2013 kur, në një kontejner u zbuluan 125 kilogramë kokainë. Destinacioni sipas autoriteteve ekuadoriane ishte Shqipëria.
Një vit më pas, në maj, në të njëjtin qytet gjatë operacionit të koduar “Arkano”, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë. Sërish destinacioni ishte porti i Durrësit. Ky u pasua nga një tjetër operacion për kapjen e drogës. Sërish 93 kilogramët e kokainës do të dërgoheshin në Shqipëri.
Operacion tjetër që dëshmon për një linjë të konsoliduar të trafikut të kokainës, ishte ai i vitit 2016. Sërish destinacioni ishte Shqipëria. Kësaj radhe me 101 kilogramë të fshehura në kontejnerin e zakonshëm me banane. Si dëshmia më e qartë që trafikantët e kokainës gjejnë në portin e Durrësit një pikë-kalimi të përshtatshme për drogën ishte guximi për të dërguar me vetëm një ngarkesë, sasinë gjigande prej 613 kilogramësh me “Arbri Garden”. Fatmirësisht shërbimet e huaja ishin vigjilente dhe u vunë në lëvizje për të ndalur itinerarin e zakonshëm tashmë, Gajakail- Durrës.



















