Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar personalisht pas arritjes së marrëveshjes për kthimin e linjës së fluturimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Një arritje të tillë, e cila duket sikur i zbut pak akujt mes dy vendeve procesi i negociatave të të cilëve ka ngecur prej kohësh në vendnumëro, presidenti amerikan ia atribuoi administratës që udhëheq.
“Të gjithë thanë se nuk mund të bëhet. Por, për herë të parë në një gjeneratë, do të ketë fluturime direkte mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër fitore. Kjo falë Ambasadorit Robert O’Brien dhe Ambasadorit Richard Grenell”, ka shkruar Trump në Twitter.
Me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, të hënën u nënshkrua në Berlin dokumenti i dakordësimit mes Lufthansës dhe qeverive të Serbisë dhe Kosovës për një linjë ajrore të drejtpërdrejtë Prishtinë – Beograd. Edhe pse ky është një dokument fillestar, ai shihet si një hap i parë në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve në fushën e qarkullimit ajror mes Serbisë dhe Kosovës.
Ceremonia u zhvillua në prani të medias në mjediset e ambasadës së SHBA-së në Berlin. “Ne duam t’i anashkalojmë çështjet politike dhe të përqendrohemi te zhvillimi ekonomik. Kjo është edhe ajo që e karakterizon administratën e Trump-it”, shpjegoi Grenell, ambasadori amerikan në Berlin dhe njëherazi i ngarkuari i administratës së Trump-it për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
Ai shtoi se ka qenë dëshirë e komunitetit të biznesit në Serbi dhe Kosovë që të normalizohen strukturat tregtare, çka nuk mund të bëhej pa pasur një linjë të drejtpërdrejtë ajrore. Një linjë e tillë direkte nuk ka ekzistuar mes dy vendeve për 21 vjet.




















