Marsela Balili, gjyqtarja që ka provuar edhe më parë shkarkimin nga detyra për shkak të një procesi korruptiv, në të cioin ajo ishte e përfshirë është shkarkuar nga detyra në shkallën e parë të vettingut.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka votuar shkarkimin e saj nga detyra, për shkak të pasurisë së pajustifikuar, por edhe problemeve që lidhen me profesionalizmin e saj.
Në fillim të seancës Balili dorëzoi një vërtetim punësimi të prindërve të saj në SHBA, ndërsa u shpreh se është në pritje të disa dokumenteve të tjera nga Gjermania. Ajo bëri kërkesë për riçeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjera, por trupa gjykuese vendosi ta rrëzojë në këtë fazë të procesit.
Për pasurinë, ILDKPKI ka dorëzuar një raport me konstatimin se, deklarimi nuk është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Ka kryer fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë. Nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit.
Ndërkohë, KPK ka kryer një hetim tjetër të thelluar për pasurinë. Në pronësi të gjyqtares së posaçme janë një apartament duplex në Tiranë, i blerë për 125 mijë euro në vitin 2012.
Burim është deklaruar një kredi, shitja e një apartamenti tjetër dhe 14 mijë euro hua, si dhe janë 10 mijë euro detyrim pa shlyer. Sipas Komisionit, ka mospërputhje për blerjen dhe pagimin e kësteve për këtë apartament. Ka ndryshim në çmim dhe aktmarrveshje, që nuk është deklaruar në 2007-ën. Duket se ky apartament, është blerë më pak nga sa ishte tregu.
Makinë “Ford Fiesta”, blerë në vitin 2012 për 4 mijë euro. Burim është deklaruar një pjesë e huasë marrë shtetasit M.M.. Për këtë pasuri ka mospërputhje deklarimi dhe ka mungesë të dokumentacionit për ligjshmërinë e të ardhurave të personit që ka dhënë huanë.
Llogari në lekë e dollarë pranë një banke. Kjo llogari është hapur në vitin 2014. Burim është deklaruar nga dhurimet e prindërve. Për këtë pasuri përputhet deklarimi i gjyqtares me dokumentacionin, edhe në lidhje me burimin, duket se prindërit kanë pasur të ardhura për krijimin e këtyre shumave. Nga hetimi i KPK, ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë mungesë financiare. Nga bilanci financiar, rezulton të ketë mungesa.
Gjyqtarja deklaron se ka marrë dy shuma nga babai i saj nga ShBA, për blerjen e një apartamenti për ta në Vlorë. Nga hetimi, rezulton se subjekti nuk ka deklaruar përdorimin e këtij apartamenti. Ndërkohë duket se babai i gjyqtares ka pasur mundësi krijimi për këtë pasuri.



















