Precipiton në dhunë seanca gjyqësore e mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku pritej të vijohen me gjykimin ndaj të akuzuarve për nje vrasje që ka ndodhur në shkurt të vitit 2018.
Bëhet fjalë për ngjarjen ku mbeti viktimë Besart Hasani, krim për të cilin akuzohet Albert Ramadani, ndërsa për pjesëmarrje në rrahje me pasojë vrasjen janë edhe Artan, Agjend dhe e Fadil Ramadani dhe Driton Krasniqi.
Ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale të mashtrimit, lidhur me shitblerjen e një veture të markës “BMË X5”, e cila sipas prokurorisë, kishte qenë edhe shkak i vrasjes.
Në sallën e gjyqit, teksa pritej të vijonte gjykimi, familjarët e të ndjerit, si dhe të akuzuarit Ramadani e Krasniqi janë rrahur me njeri-tjetrin.
Lajmin e kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zyrtarë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, si dhe Policia e Kosovës.
Sherri dhe më pas dhuna ka ndodhur pasi sot në gjyq pritej të shfaqeshin video-incizimet e vendit të ngjarjes. Këtu, avokati i të akuzuarit Albert Ramadani, Ymer Huruglica ka kërkuar që gjatë shfaqjes së tyre të largohen të akuzuarit dhe publiku.
Propozimin për përjashtimin e publikut e ka aprovuar edhe prokurori Rasim Maloku, ndërsa lidhur me propozimin për përjashtimin e të akuzuarve, tha se i mbetet trupit gjykues të vendosë. Ndërsa, kundër këtyre dy propozimeve, ishte përfaqësuesi i familjes së tani të ndjerit Hasani, avokati Ramiz Krasniqi.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri, mori aktvendim që të akuzuarit të qëndronin, ndërsa publiku të përjashtohej, çka edhe ngjalli reagime nga disa anëtarë të familjes së të ndjerit, të cilët refuzuan të dilnin. Pas kësaj, ka nisur edhe përleshja mes tyre.
Zëdhënësi i Stacionit Policor në Ferizaj, Agim Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se rasti ka ndodhur rreth orës 11:00, gjatë seancës gjyqësore, ku ka ardhur deri tek konflikti mes palëve në procedurë. Ai ka thënë se 13 persona janë ndaluar, ku shtatë prej tyre janë në cilësi të të dyshuarve, ndërsa gjashtë të tjerë në cilësi të dëshmitarëve.
“Policia ka intervenuar, ka vënë situatën në kontroll, dhe lidhur me këtë rast janë shoqëruar 13 persona për në stacionin policor, nga të dy palët. Të njëjtit janë duke u intervistuar, ndërsa lidhur me hapat e mëtutjeshme, ato do të merren në konsultim me prokurorin, ka thënë zëdhënësi i Stacionit Policor në Ferizaj, Agim Gashi. Ndërsa, prokurori i çështjes, Valdet Avdiu, ka thënë se për këtë rast janë ndaluar disa persona.
“Janë ndaluar disa persona. Ende nuk ka kallëzim penal”, ka thënë prokurori i çështjes, Valdet Avdiu. Rastin e ka konfirmuar edhe administratori i kësaj gjykate, Sejdi Sadiku.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohet se më 28 shkurt 2018, rreth orës 18:25, në rrugën Ferizaj–Prishtinë, përballë kafeterisë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore ka vrarë të ndjerin Besart Hasani, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60.000 euro.



















