Tokio
Me një akt solemn së bashku me ceremonitë tradicionale, Naruhito zyrtarisht u bë perandori i 126-të i Japonisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në inaugurimin e Perandorit të ri japonez Naruhito në Pallatin Imperial në Tokio morën pjesë afër 2.000 zyrtarë nga 190 vende dhe organizata ndërkombëtare.
“Premtoj se do të veproj në përputhje me Kushtetutën e Japonisë dhe detyrat e mia do t’i kryejë si simbol i unitetit të Japonisë dhe popullit japonez”, tha Naruhito gjatë betimit.
Perandori i ri japonez Naruhito kishte veshur veshjen me ngjyrë kafe që monarkët kanë veshur në Japoni që nga shekulli i nëntë, ndërsa ai vizitoi disa tempuj pak para kurorëzimit të tij.
Me rastin e hyrjes së Naruhito-s në Takamikur, dhoma e kurorëzimit perandorak, qeveria japoneze si shenjë të vullnetit të mirë fali 550 mijë të burgosur.
Me rastin e kurorëzimit të ish-perandorit japonez Akihito, Qeveria e Japonisë në vitin 1989 fali 2.5 milionë të dënuar.
Perandori i ri japonez Naruhito lindi pas Luftës së Dytë Botërore dhe është princi i parë japonez që studioi jashtë vendit. Ai studioi për transport detar në Universitetin e njohur të Oksfordit ndërsa gruaja e tij princesha Masako Owada studioi ekonomi në Universitetin prestigjioz të Harvardit. Masako është vajza e Hisashi Owada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.



















