Zenel Kuçana
Cili titull do të ishte plotpërmbushës për djalin e Malësisë së Gjakovës që ra dëshmor? E vështirë për t’u përcaktuar për Bylbyl Breçanin, personifikimin e amanetit stërgjyshor, se nuk ka shenjtëri më të madhe se me ra për atdhe.
I rritur, edukuar, e frymëzuar nga odat e burrave të Malësisë, nga këngët dhe historitë e këtij trolli, nga legjendat shqiptare se kur të vijë dita, burri përqafon amanetin, bash si në legjendë, si ato që dridhin telat e çiftelisë ku këndohet për trimërinë e burrave të Malësisë.
Ishte një horizont i shkëputur, i prerë, që mbërthente një ëndërr duke e gjymtuar atë; Kufiri shqiptaro-shqiptar.
Tek ai u ngjiz ëndrra si amanet, se toka s’mund të durojë atë kufi, se i tillë nuk duhej të ishte, se në Konferencën e Bujanit, u vendos ndryshe, se gjysh e stërgjysh kishin luftuar e kishin besuar fort, se një ditë… se do të vijë një ditë “do e bëjnë dekën si me le” do të thoshte Fishta.
Kosova për çdo banor të Malësisë së Gjakovës ishte më shumë se ëndërr, “ku të merr malli edhe pse kurrë s’ke shkelur tokën e saj” siç do të thoshte Visar Zhiti.
Kushedi sa herë kaloi në qiellin e saj, Bylbyli, kur tej horizontit shfaqej ashtu, e bukur, ku gjëmonte barbaria serbe, e ai priste… priste që një ditë do të ishte dita e tij, një ditë do të bënte atë që kishin bërë paraardhësit, atë që duhej të bënte burri i Malësisë së Gjakovës, bash si në këngë, siç ishte mëkuar, të luftonte luftën për Atdhe.
E pranvera shqiptare po vinte si shpresë. Kishte ardhur koha, dita kur dheu i të parëve thërriste bijtë e vet, kur dheu i të parëve digjej nga makineria e çmendurisë së Millosheviçit.
Kishte ardhur dita kur trojet shqiptare të Kosovës po zbrazeshin, kur planet shfarosëse kishin filluar të zbatoheshin, kur malet u trishtuan nga vaji i fëmijëve dhe grave që u detyruan të ikin nga vatrat e tyre stërgjyshore.
Ishin edhe ato ditë kur banorët e Tropojës,Hasit e Kukësit e gjithë Shqipërisë pasqyruan vlerat më të larta njerzore, humane, fisnike dhe atdhetare,të kultivuara në shekuj bujarinë, mikpritjen, hapjen e dyerve për vllezerit e motrat e tyre shqiptare të Kosoves.
Ishte koha kur nuk mund të pritej më e Bylbyl Breçani do të takohej me heronjtë e tjerë të Kombit shqiptar Adrian Krasniqin dhe Ilir Konushevcin.
Ata i bashkonte gjaku dhe ëndrra, për Kosovën e lirë ku do të çohej në vend amaneti stërgjyshor.
Takimi me ushtarakët e lartë të Luftës së Koshares, Rrustem Berisha e Hisen A. Berisha i dha nderin e madh Bylbylit. Ai nuk ishte thjesht djalë i Krasniqes, djalë i Malësisë së Gjakovës. Ai tashmë ishte ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ushtar në Brigadën 138‚ “Agim Ramadani” në Koshare.
Kur kriste pushka si me shkrep moti….
Bylbyli ishte aty, kur koha kishte ardhur, që bash në Malësinë e Gjakovës, nuk mund të kishte më “kurrë kufi as shka të zi….”
“Trim si Bylbylin nuk ban ma nana” thonë komandantët. Në betejat e lavdishme kur këndoheshin këngët e moçme e oshëtinin malet nga heroizmat e Bylbyl Breçanit me shokë, nga rrasa e Zogut e deri në Junik e Deçan, nga kosharja në Isniq e Pejë, nga Qafa e Morinës në rrafshin e Dukagjinit, e krejt Kosovën.
Ishte koha kur ai kufi do të hiqej, nën këngët e armëve, nën gjakun shqiptar, siç thuhet në amanetin e moçëm, 57 dëshmorë dha Qarku i Kukësit në luften e fundit të Kosovës , 20 Tropoja, 36 Hasi e një nga Kukësi, 268 ranë në minat serbe , 34 të vdekur, 12 me shikim të humbur, 54 të gjymtuar …
Heqja e atij kufiri dikur ishte ëndërr, tashmë ishte thjesht një detyrë.
E kush nga bashkëluftëtarët e tij mund të harrojnë Bylbyl shqiptarin që kurrësesi nuk mund të duronte flamurin e shkinisë të valëvitej në trojet shqiptare, bash në kufirin shqiptaro –shqiptar?
Ani çka mes plumbash, ani çka ballë për ballë, kurrën e kurrës ai flamur s’mund të valonte në kufirin që sduhej të ishte. Bylbyl shqiptari hoqi flamurin e shkinisë dhe vendosi flamurin e lirisë, akt që pasoi me heqjen kufirit shqiptaro-shqiptar.
E dielli do të lindte ndryshe, e toka do të frymonte e lirë, në gjakun e bijve të vet, në gjakun e Bylbyl Breçanit me shokë, që prehen në Altarin më të lartë të kombit shqiptar.
Në kufirin shqiptaro-shqiptar sot është një përmendore, që për të gjithë ne duhet të jetë reflektim.
E cili titull do të ishte më plotpërmbushës për dëshmorin e Kombit Bylbyl Brecani, cili tingull do të ishte aq i zjarrtë, sa idhnimi i zanave në Bjeshkët Nemuna?
Çdo udhëtar që kalon në kufirin shqiptaro-shqiptar e përkujton se aty Bylbyl Breçani ngriti Flamurin e Lirisë, Flamurin e Kombit, dhe patjetër që po, ëndrra e tij dhe çdo shqiptari vazhdon…
*Prefekt i Qarkut te Kukësit – Fjalim i mbajtur në Akademinë Përkujtimore për BYLBYL BREÇANIN – “Hero i Kosovës”


















