NGA: HAKI LATIFI
Faleminderit President Rugova që me angazhimin T’uaj të pa shoq, sakrificat shekullore të shqiptarëve për Liri e Pavarësi i shëndrrove në realitet dhe Kosovën e bëre shtet.
Të qofshim falë për të gjitha ato që bëre për Kosovën, për ne dhe për të gjithë shqiptarët.
Kaluan plot 13 vjet e ne udhëtojmë pa Ty shtigjeve e labirintheve të Dardanisë së Re, të shtetit më të ri e më të këndshëm në botë, që Ti e ngrite mbi themelet e Dardanisë së Lashtë.President, ne vazhdojmë të jetojmë edhe pa Ty, por janë disa të sojit
tonë, që kanë shmangur udhën e Zotit e po shkojnë teposhtëzave shumë të rrezikshme. Ku, në mos sot, nesër do të rrolkullisen e do e thejnë qafën, duke rrezikuar edhe jetën e tyre dhe të tjerëve. Tashmë disa po shihen duke u rrokullisur. Ka edhe të tillë që në shumë dreqëri dhe në interese personale e klanore, ende vazhdojnë të thirren në emrin T’uaj të madh President Rugova. Po e shoh se ka ardhë koha që t’u thuhet mjaft njëherë e përgjithmonë dhe të ndalën, që të mos u lejohet të ngarkojnë më mbi shpinën e kërrusur të popullit tonë të shumë vuajtur. Çuditërisht ka ende të tillë që mendojnë se patjetër ata duhet të jenë në ballë të çdo gjëje që bëhet në trojet tona, pa kuptuar se janë vetëm një pikë uji në oqeanin kombëtar.
President, ishim dëshmitar se, kundërshtarët politikë në Kosovë e Shqipëri bënë garë të poshtrojnë kush më shumë e më shpejt, duke rënë pre e meskinitetit dhe xhelozisë provinciale.

Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova me Haki Latifin
Edhe ne u dogjem në mes të Janarit, dhe pa dashjen tonë, çelsin e mori gjarpëri, dhe nuk e dijm se argatin e kujt e bënë! Të tillët, Ishin të mundurit më jetëgjatë se Ti për vullnet të Zotit. Bile ky soj, ende gjuajnë me mllef ndaj Teje, jo nga lartësia e distancës historike, por shpesh, si kundërshtarë nga ultësia e pezmit, të helmuar në disfata, për gjithë pjesën e jetës që u ka mbetur. Por, Ti i kupton si janë mrapshtitë shqiptare, sllave apo karakteristikë ritmike e natyrës njerëzore.
Po, sot është rasti me përsëritë që “rrufeja bie mbi lisat e gjatë”, duke hedhur baltë mbi Ty i dashtun President, është soji i njejtë që besuan se hoqën baltën e tyre. Por, ishte populli i Kosovës që foli në emër Tënd, duke të votuar në mënyrë plebishitare dhe ashtu e morre sa herë deshte mbështetjen e qytetarëve të Dardanisë, derisa vdekja të ndaloi së konkurruari si politikan, por jo si model.
Sepse, modeli u shndërrua në Ikonë.
Por në mbretërinë tonë kombëtare, besoj ashtu siç deshte dhe besoje Ti, do të mbretërojë dhe do të sundojë gjithmonë edhe tej amshimit, dashuria për njëri-tjetrin, dashuria për të tjerët, besa e mirëfilltë, amaneti i të parëve tanë për një prosperitet të gjithëmbarshëm kombëtar e njerëzor, për një dashuri universale, jashtë intereseve personale, grupore e klanore. Sepse, me dashurinë tonë të mirëfilltë do t’i bindim të gjithë se e vetmja rrugë e ardhmërisë njerëzore e kombëtare është vetëm dashuria dhe kryerja e detyrave me dinjitet.
Ishte nder dhe një bekim që të njoha, jetova dhe veprova në kohën tënde i dashtun Presidentit…
Zoti e bekoft veprën e madhe të Presidentit Dr. Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoft Republikën e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptarë!
Zoti i bekoft miqtë e shqiptarëve, të Europës dhe SHBA-të!
Lavdi dhe nderim të përjetshëm për themeltarin e shtetit të Kosovës, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova!
Amin!
Derendingen, 20 janar 2019
Haki Latifi















