Shqiptarët ende nuk e kanë kuptuar se në ujërat e deteve jetojnë edhe peshkaqenë…
Mania e njerëzve, por ca më keq e peshkatarëve, për të shitur si “sensacion” çdo peshkaqen që kapin dhe për t’i postuar edhe në rrjetet sociale bëhet edhe më qesharake kur i ashtuquajturi “bishë e detit” nuk është më shumë se 23 kg.
Pikërisht një i tillë është kapur dhe vrarë edhe dje nga peshkatarët në zonën e Himarës dhe si në çdo rast tragji-komik, fotot janë përcjellë në rrjetet sociale.
Ata kishin dalë për peshkim si çdo ditë tjetër, në momentin kur në rrjetat e tyre kanë rënë dy peshkaqenë të vegjël.
Pasi i kanë nxjerrë në breg të detit, peshkatarët i kanë kaluar në peshore, ku kandari tregonte se “bisha” ishte vetëm 23 kilogramë.
Kjo nuk është hera e parë që një gjitar i tillë kapet në ujërat tona.
Edhe pse i kapur në thellësi ku nuk përbën asnjë rrezik, asnjë institucion shtetëror që merret me ruajtjen e faunës detare, nuk u ka shpieguar ende peshkatarëve shqiptarë se peshkaqenët e ujërave tanë nuk janë specie njeri-ngrënëse.
Por ajo çka është më e rëndësishme është fakti që, në mungesë të biologëve detarë, askush nuk u thotë peshkatarëve se vrasja e një peshkaqeni të madh ose të vogël, sjell një zinxhir pasojash negative për faunën detare dhe si përfundim pakëson në vend që të shtojë peshkun.


























