21-vjeçarja e cila u vra pasi nuk pranoi një lidhje, është përcjellë sot për në banesën e fundit, por dëshmitë tronditëse vijojnë të rrëfehen nga dëshmitarët që panë ngjarjen makabre.
Mesa duket, Ariela Murati është përleshur me Aldison Belulajn para se ai të nxirrte nga brezi një pistoletë pa leje dhe ta qëllonte në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Në pak sekonda, ai ka shtënë edhe mbi veten, para shumë dëshmitarëve.
“Ai e goditi njëherë këtu, ishin duke u kacafytur. Ishin edhe dy vajza të tjera, njëra e mbante kështu në gjoks vajzën kur u vra. Debatonin që këtej ata rrugës. Dëgjova që u shti dy herë me pistoletë, pashë vajzën që ra atje, pashë dhe vajzën që ra në drejtim këtej, ka thënë një prej dëshmitarëve për “Klan”.
21-vjeçarja, studente e Juridikut, ishte me të motrën dhe një vajzë tjetër dhe po shkonte në shtëpinë që kishte me qira pranë Universitetit të Mjekësisë, kur Belulaj, studenti i Infermierisë, u doli përpara. Por dy vajzat e tjera nuk mundën ta shpëtonin.
Një dëshmitar tjetër është shprehur se një shofer që kishte parë vajzën duke u konfliktuar me Aldison Belulajn, kishte tentuar të ndërhynte, por kur kishte parë armën, ishte tërhequr.
Sipas hetuesve, autori i krimit dhe viktima kanë përshkuar një distancë prej rreth 40-50 metra së bashku, duke u konfliktuar dhe debatuar.
Sapo ka mbërritur pranë hyrjes së Universitetit të Mjekësisë, 23-vjeçari Belulaj ka nxjerrë armën. Ai vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.
“Kemi dëmtime të rrënjës së hundës, kemi dëmtime intrakraniale, ose të trurit. Është një zonë goxha e madhe hemorragjike, nga ana e djathtë ballore, por më e keqja është enjtja e gjithë trurit”.
Edhe pse në Reanimacion, oficerët e policisë kanë kryer procedurat për arrestimin e tij, me akuzën e “vrasjes me paramendim”. Për të hedhur dritë mbi motivet, hetuesit po vijojnë me marrjen e dëshmive të personave të tjerë, që mund të kenë pasur dijeni mbi historinë e dy të rinjve, që kishin qenë në të njëjtën shkollë në gjimnaz, në Zharrëz të Fierit. Dëshmitë e deritanishme flasin se shkak i vrasjes është bërë refuzimi që Ariela i bëri kërkesës së 23-vjeçarit për t’u lidhur me të.























