Ai ka thënë se besojmë në vlerat thelbësore të BE-së dhe vullneti i qytetarëve të Kosovës është në favor të anëtarësimit në BE.
“Nëse na jepet një mundësi e drejtë dhe një perspektivë e qartë, ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të reformuar, përmirësuar dhe përmbushur të gjitha kriteret e BE-së. Por, që kjo të ndodhë, BE-ja duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve tanë. Ne e dimë fare mirë që sot, perspektivën evropiane e kemi shpresë, dëshirë, synim, por jo edhe realitet të mirëfilltë. Kosova, si vendi më proevropian në Ballkan, është shteti më i izoluar në Evropë.E, në anën tjetër evropianët e rinj sot janë evropianë të izoluar”, ka thënë ai.
Presidenti ka thënë se kjo është ndjenjë e pafuqisë, e dëshpërimit, e mërzisë që na bashkon të gjithë neve në Kosovë: qofshim politikanë, ekonomistë, biznesmenë, artistë ose dhe qytetarë të zakonshëm.
Ai ka thënë se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimin, malli i një afaristi kosovar nuk ka më kurrfarë pengesash për t’u ofruar në tregun evropian, por vetë ky afarist nuk mund të lëvizë dot në Evropë pa vizë.
“Kështu është edhe me artistët tanë”, ka shtuar ai.
Filmat dhe veprat nuk njohin kufij, por këta kufij presidenti ka thënë se vlejnë për vetë autorët e tyre.
“Izolimi, të lënit anash, të qenit i harruar, çdo ditë po shfrytëzohet prej ekstremizmave politikë dhe fetarë në Kosovë.Ky izolim po shfrytëzohet me qëllim të dobësimit të lidhjeve të kamotshme qytetëruese dhe kulturore të Kosovës me Evropën. Pse Kosova trajtohet kështu, kur dihet se Bashkimi Evropian, ka qenë pjesë e ndërtimit të demokracisë në Kosovë, në vitet 1999-2008, dhe më pas, kur BE ka qenë pjesë në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës? Politikanë dhe diplomatë, policë, prokurorë dhe gjykatës, ekspertë të gjitha fushave të BE-së dhe të shteteve anëtare të BE-së, janë pjesë e pandashme e sukseseve tona.Gjithsesi, ata janë edhe pjesë e gabimeve dhe dështimeve tona. Nuk ka integrim evropian pa tejkalimin e izolimit diskriminues të imponuar e të stërzgjatur.Më lejoni të jem i qartë, ne e dimë se Kosova nuk do të jetë e gatshme për t’iu bashkuar BE-së vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, besoj të gjithë jemi të vetëdijshëm dhe të shqetësuar nga fakti se procesi është i padrejtë”, ka thënë ai.
Presidenti ka shtuar se liberalizimi i vizave është një shembull i qartë.
Përveç që është lënë e fundit, ai ka thënë se Kosovës i janë dhënë 95 kritere, kur fqinjët e saj kanë pasur vetëm rreth 50të tilla.
Për më tepër, presidenti ka thënë se Kosova ka përmbushur plotësisht të 95-at nëse interpretohen sipas udhërrëfyesit formal.
“Kriteri i fundit i mbetur sipas BE-së për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duhet të plotësohet pa humbur kohë. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar dje këtë marrëveshje të cilën unë me përgjegjësinë më të lartë shtetërore e kam nënshkruar më 26 gusht 2015.Çdo dështim i institucioneve tona shtetërore për t’i kryer me përgjegjësi obligimet ndërkombëtare, po i shërben BE-së si justifikim për të mbajtur Kosovën të izoluar.Zvarritjet e panevojshme, qofshin ato për qëllim të blerjes së kohës, apo për shkak të tekave personale, apo të një grupi të caktuar, janë të papranueshme.Këto zvarritje janë të dëmshme jo vetëm për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për raportet ndërshtetërore me Malin e Zi.Prandaj, institucionet shtetërore duhet të marrin vendim tani, sepse vonesat sjellin vazhdim të izolimit dhe zbehin besueshmërinë tonë në sytë e shteteve mike”, ka thënë ai.
Presidenti ka shtuar se nuk duhet t’i lejojmë vetes që të dështojmë në përmbushjen e obligimeve shtetërore dhe në të njëjtën kohë të bëjmë fajtor vetëm BE-në, apo bashkësinë ndërkombëtare.
Ai ka thënë se institucionet tona kanë dështuar për gati tri vite me radhë që të ratifikojnë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi.
“Kështu, jo vetëm që e kemi humbur betejën e argumentit me BE-në, por e kemi luhatur besimin tek partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.Po bëhen më shumë se katër vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe ratifikimit të saj në Parlamentin e Kosovës.Për fat të keq, qeveria ende nuk e ka përmbushur obligimin e vet për themelimin e Asociacionit, përkundër faktit se gjithçka është e qartë dhe plotësisht ligjore e kushtetuese.Prandaj, opinioni publik duhet t’i ketë gjërat të qarta”, ka thënë ai.
Për aq sa është fajtore BE-ja për izolimin e Kosovës, presidenti ka thënë se po aq janë fajtore institucionet shtetërore për mos përmbushjen e obligimeve të veta, duke i dhënë pretekst BE-së të na mbajë të izoluar.

















