“Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës në Qeveri për liberalizim të vizave me BE-në”.
Ky ishte premtimi më i fortë i Ramush Haradinajt në fushatën e fundit për zgjedhje parlamentare si kandidat i koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) për kryeministër.
Pikërisht javën tjetër bëhen 90 ditë prejse Haradinaj drejton Qeverinë e Kosovës, përderisa vizat me BE-në ende nuk janë hequr e as që pritet të hiqen në një të ardhme të afërt, kryesisht për shkak të mosmiratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend.
Derisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se është përshpejtuar adresimi i çështjes së demarkacionit dhe, siç thonë ata, liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejt se pritjet e pesimistëve, analistët politikë thonë se premtimi i Haradinajt ishte bërë gjatë periudhës së fushatës dhe si i tillë nuk kishte gjasa të përmbushej.
















